Aktualitet

'Gërdeci'/ Fatmir Mediu në GJKKO: Akuza të qëllimshme nga Prokuroria e kohës

Sipas tij në postin e ministrit, nuk ishte përgjegjësia e tij për këto çështje, por i takon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak.

F.I
'Gërdeci'/ Fatmir Mediu në GJKKO: Akuza të
Fatmir Mediu

TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme ka nisur procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste për tragjedinë e Gërdecit. Mediu në seancë ka paraqitur kundërshtimet në lidhje me akt-ekspertiza tekniko-ushtarake. 

Ish-ministri shprehet se procedimi penal është ngritur në mënyrë të qëllimshme nga Prokuroria e kohës për ministrin e Mbrojtjes. Mediu është shprehur se do të vazhdoj ta kundërshtoj aktin në të gjithë aspektin e vetë sepse nuk ka të bëjë me detyrat ligjore të ministrit. Sipas tij në postin e ministrit, nuk ishte përgjegjësia e tij për këto çështje, por i takon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak. 

“Ekspertët e thirrur nga prokuroria ishin në nivel të ulët ushtarak. Gjatë procesit disa ushtarakë të lartë i kanë kundërshtuar këta ekspertë. Në këtë sallë Prokurori deklaroi se nuk kishte njohuri për kalibrat se ishte jurist. Procedimi penal është ngritur në mënyrë të qëllimshme nga Prokuroria e kohës për ministrin e Mbrojtjes. Ministri nuk merret me çështje ushtarake. Përgjegjësia për këto çështje i takon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak. Ministri i Mbrojtjes është civil”, ka thënë Mediu në seancë.

Në seancën e fundit mbajtur më 18 qershor, ish-ministri kërkoi që trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të marrë parasysh dëshmitë e personaliteteve politike dhe ushtarake të kohës. Mediu shtoi se 6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar që edhe të merren parasysh gjatë gjykimit.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI

Poll

MOS HUMB