SHKODËR-Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mesditën e 6 shtatorit në fshatin Gomsiqe e Re në Shkodër, ku në pamjet e ndara në rrjete nga avokati Arben Llangozi shihen dy të rinj të armatosur me kallashnikov dhe pistoletë teksa hyjnë në një lokal në zonë dhe konfliktohen fizikisht me një person brenda lokalit.
Pas përplasjes, klienti tenton të largohet, por në një moment i riu me pistoletë ia drejton armën në drejtim të tij. Fatmirësisht, arma nuk është përdorur. Sipas Policisë së Shkodrës, ngjarja ka nisur pas një konflikti ku dy shtetas dyshohet se kishin dhunuar një të mitur.
Më 6 shtator, dy personat e përfshirë në konflikt njëri prej tyre me kallashnikov në dorë, ndërsa tjetri i armatosur me pistoletë, kanë shkuar në lokal dhe kanë kanosur me armë dy personat me të cilët ishte konfliktuar i mituri.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy shtetasit, ndërsa tre personat e përfshirë në konflikt, si edhe pronari i lokalit, janë proceduar në gjendje të lirë. Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë, ndërsa ende nuk bëhet me dije identiteti i personave të përfshirë në konflikt.