Aktualitet

Çfarë ndodhi në Komisariatin e Sarandës? Të arrestuarit u lanë pa bukë, Policia: Dezinformim, i paraburgosuri shfaqi sjellje agresive

Situata u përshkallëzua, ku të arrestuarit dëmtuan kamerat e sigurisë dhe tavolinat në shenjë revolte për ushqim dhe vetëm pasi u blenë rreth 170 euro pica, të cilat u janë dhënë personave të arrestuar, efektivët kanë rimarrë kontrollin e Komisariatit.

F.I
Çfarë ndodhi në Komisariatin e Sarandës? Të
foto ilustruese

SARANDË-Një incident i rëndë u regjistrua mesnatën e 9 shtatorit brenda ambienteve të Komisaraiatit të Sarandës, ku u raportua se një efektiv u mbajt peng nga të paraburgosurit, u dëmtuan kamerat e sigurisë dhe tavolinat. 

Sipas detajeve të publikuara nga avokati Arben Llangozi personat e arrestuar kishin qëndruar rreth 24 orë pa ushqim dhe pikërisht kërkesa për bukë ka qenë shkaku që ka çuar në përshkallëzimin e situatës. Llangosi shprehet se të arrestuarit kanë kërkuar ushqim, por futja e tij në ambientet e izolimit është refuzuar. Pas këtij refuzimi, ata u kanë marrë çelësat tre punonjësve të policisë, kanë dalë në korridoret e dhomave të izolimit dhe për disa orë kanë mbajtur nën kontroll ambientet ku ndodheshin edhe tre efektivët.

Sipas pretendimeve të avokatit Llangozi situata u përshkallëzua, ku të arrestuarit dëmtuan kamerat e sigurisë dhe tavolinat në shenjë revolte për ushqim dhe vetëm pasi u blenë pica, të cilat u janë dhënë personave të arrestuar, efektivët kanë rimarrë kontrollin e Komisariatit.

Burime nga Policia për ZËRI raportuan se nuk ka patur një mungesë ushqimi për të paraburgosurit dhe kamerat e sigurisë tregojnë se një prej të arrestuarëve shfaqi shenja të rënda emocionale duke dëmtuar orenditë e ambientit. Po ashtu po të njëjtat burime raportojnë se është ngritur edhe një padi për "Përhapje të informacioneve të rreme" dhe dezinformim.

Në lidhje me ngjarjen, Policia e Vlorës doli me një njoftim zyrtar ku njoftoi se janë pezulluar tre efektivë, të cilët dyshohet se nuk kanë reaguar gjatë episodit të dhunës. Pezullimi nga detyra u vendos për efektivët Armando Bizhga, Dhimitër Gugu dhe Leons Cani. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se Devis Saliaj, 22 vjeç, një prej anëtarëve të grupit të drogës që u godit nga Policia më 6 shtator, kishte shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive, duke dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë

Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale për një ngjarje të ndodhur në ambientet e dhomave të ndalimit, në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku ndodhej shtetasi D. S., i arrestuar në zbatim të një vendimi gjykate, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë sqaron se:

Gjatë qëndrimit në ambientet e dhomave të ndalimit, ky shtetas ka shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive, duke dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë. 

Për rastin është njoftuar menjëherë urgjenca e spitalit dhe shtetasi D. S, ka marrë ndihmën mjekësore.

Gjithashtu, paralelisht është njoftuar Prokuroria dhe janë kryer të gjitha veprimet procedurale përkatëse.

Njëkohësisht, në kuadër të verifikimit të plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësive eventuale, janë pezulluar nga detyra 3 punonjës policie, të cilët nuk kanë reaguar kur shtetasi D. S. ka dëmtuar kamerën dhe orenditë në dhomën e ndalimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe marrjen e masave përkatëse, në përputhje me ligjin, në bashkëpunim me Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë ecurinë disiplinore për tre punonjësit e policisë tashmë të pezulluar.

Hetimet vijojnë dhe lidhur me rastin janë marrë kamerat e sigurisë së ambjenteve të Komisariatit për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

Poll

MOS HUMB