LEZHË-Në kulmin e sezonit turistik, të gjithë kërkojnë të 'shijojnë' detin. Por ndryshe nga pushuesit që zgjedhin shezllonet apo ecjet buzë detit, një i ri në Lezhë ka hyrë bashkë me mjetin e tij luksoz. Konkretisht 23-vjeçari është kapur duke bërë xhiro me një automjet tip “G-Class” në breg të detit në plazhin e Vainit, Lezhë. I riu është ndëshkuar me 50 mijë lekë gjobë.
Njoftimi i policisë:
Qarkulloi me automjet tip “G-Class”, në breg të detit, dhe cenoi sigurinë e pushuesve, identifikohet dhe shoqërohet në komisariat.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 23-vjeçari u ndëshkua për shkeljen e kryer, me 50 000 lekë gjobë. Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ Albania”, në të cilën shfaqet një automjet tip “G-Class” duke lëvizur në brezin e rërës në breg të detit, në plazhin e Vainit, kryen verifikimet, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të tyre, u identifikua dhe u shoqërua në komisariat, shtetasi A. N., 23 vjeç, banues në Lezhë.
Ai u ndëshkua me masë administrative 50 000 lekë, për shkelje të neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor./ZËRI