DHËRMI-Forcat e Posaçme "Shqiponja" kanë finalizuar operacionin e koduar "Pasagjeri" ku në pranga është vendosur një 26-vjeçar i cili posedonte armë pa leje. Në pamjet e ndara nga Policia, efektivët "Shqiponja" kanë rrethuar taksinë me të cilën Denis Mesi, banues në Babrru lëvizte në Dhërmi.
Gjatë kontrollit të kryer pas ndalimit të taksisë me të cilën ai udhëtonte, policia i gjeti një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën e posedonte pa leje.
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", finalizuan operacionin e koduar "Pasagjeri", në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 26 vjeç, banues në fshatin Babrru, Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, kryer pas ndalimit të taksisë me të cilën lëvizte, 26-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me krehër dhe me fishekë, që posedohej pa leje,"-thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë janë kryer edhe 2 operacione të tjera brenda 24 orëve, konkretisht kundër vjedhjes me dhunë dhe transportimit të paligjshëm të personave drejt Greqisë. Një 31 vjeçar vodhi 1 automjet të OSHEE-së dhe dhunoi punonjësin që e drejtonte. Gjatë kontrollit fizik 31-vjeçarit iu gjet edhe një thikë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, finalizuan operacionin e koduar “Thirrja”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi H. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vanë. Ai u lokalizua dhe u kap pak orë pas kallëzimit të një punonjësi të OShEE-së, se një shtetas e kishte dhunuar për t’i vjedhur automjetin e kompanisë, i cili u gjet dhe iu kthye subjektit, në zbatim në urdhrit të prokurorit. Më tej, gjatë kontrollit fizik, shtetasit H. Z. iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë)”, njoftoi sot policia.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë finalizuan operacionin “Barriera”, duke arrestuar në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë shtetasin M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh.
Ai dyshohet se transportonte me një automjet tip “Volkswagen” pesë shtetas, katër nga Shqipëria dhe një nga Kosova, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në Greqi.