TIRANË-Ish-presidenti Bamir Topi është paraqitur në GJKKO. Topi është thirrur në cilësinë e dëshmitarit për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë kryedemokrati Sali Berisha dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja, Fatmir Bektashi dhe Andia Pustina.
Në dosjen e SPAK ish-presidenti në vitet 2007-2012 përmendet në lidhje me veprimet që u kryen për nxjerrjen nga “Plani i Përhapjes” së Forcave të Armatosur të ish klubit të futbollit ‘Partizani’. Baimir Topi u zgjodh Kryetar i Shtetit në 24 Korrik 2007 me votat e Partisë Demokratike dhe më 29 Gusht, vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, ai nënshkroi "Planin e përhapjes" të ri për vitet 2007-2010 nga i cili Kompleksi sportiv Partizani u hoq. SPAK evidenton një shkresë të 9 gushtit 2006 ku në listën e pronave për Klubin e Futbollit Partizani, ishte përcaktuar që të ishte pjesë e planit të Përhapjes.

Në dëshminë e tij Topi u shpreh se 'Plani i përhapjes' ishte një veprim politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes dhe një plan teknik që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Ish-presidenti ka deklaruar se bazuar memorjes së tij kanë qenë shumë reparte, nuk ka qenë vetëm një. Gjatë dëshmisë, Topi foli edhe për një takim që kishte zhvilluar në vitin 2009 me ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, gjeneral Vladimir Qirjazi, i cili i kishte paraqitur shqetësime lidhur me çështjen e kompleksit “Partizani”.
Dëshmia e Bamir Topit:
Prokurorja Enkeleda Millonai: A i njihni të pandehurit Fatmir Bektashin, Andia Pustinën, Xhiki Begejan dhe Jamarbër Malltezin?
Bamir Topi: Malltezin e njoh si dhëndrin e Berishës. Nuk kemi pirë asnjë kafe, e njoh vetëm nga distanca. Me zotin Begeja kemi jetuar në lagjen e vjetër, në një distancë rreth 400 metra. Nuk jemi ulur ndonjëherë apo të kemi konsumuar bisedë. E njoh si pjesëtar të një familjeje të njohur. Bektashin e njoh sepse ka qenë zëvendësministër në një ministri, por nuk kam pasur asnjë kontakt me të. Me Andia Pustinën nuk kam asnjë njohje. Për Bektashin kam përshtypjen se ka qenë zëvendësministër në qeverinë Meksi, por nuk më kujtohet saktësisht. Kam qenë President i Republikës në vitet 2007-2012.
Millonai: Për planin e përhapjes, cilat ishin strukturat që bënin propozimin përpara se ju ta miratonit?
Topi: Presidenti ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Plani i përhapjes ishte një veprim politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes dhe një plan teknik që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Në atë kohë punohej intensivisht për anëtarësimin në NATO. I gjithë procesi asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s. Tek unë vinte vetëm për t'u mbyllur juridikisht.
Millonai: Sa herë keni pasur veprime për planin e përhapjes, për miratime apo ndryshime?
Topi: Presidenti kishte edhe kompetencë, por edhe detyrim t'i nënshkruante.
Millonai: Keni pasur dijeni për ndonjë problem me "Partizanin"?
Topi: Tek Presidenti vinte vetëm për miratim. Kur plani i përhapjes dilte nga Shtabi i Përgjithshëm, nuk ishte më përgjegjësi e Presidentit. Në vitin 2009 ka ardhur një herë gjeneral Vladimir Qirjazi. Ai ekspozoi shqetësimin. I kam thënë shefit të kabinetit ta asistonte me grupin e këshilltarëve. Unë njoftohesha për rezultatet. Kam marrë informacion nga shefi i kabinetit se ishin konsultuar dhe kishin ndarë mendimet, por kishin konstatuar se nuk ishte kompetencë e Presidentit, pasi prona kishte dalë nga plani i përhapjes që në vitin 2007. Është dhënë asistenca normale që mund të jepte një kryetar shteti, por ishte një problem që nuk kishte të bënte me Presidencën.
Millonai: Keni qenë në dijeni në lidhje me procedurën e privatizimit?
Topi: E kam dëgjuar, por ishte jashtë kompetencës së Presidencës.
Millonai: Shkresërisht jeni njoftuar nga Vladimir Qirjazi lidhur me ndonjë problematikë?
Topi: Unë këtë mbaj mend, që i organizuam edhe konsultën për të parë se çfarë problemesh kishte.
Millonai: Ju keni shkarkuar Vladimir Qirjazin nga detyra e komandantit të Komandës Mbështetëse, duke e emëruar më vonë si zëvendëskomandant. Kush i bënte propozimet?
Topi: Nuk më kujtohet mirë, por ndoshta Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Jamarbër Malltezi: Keni qenë në dijeni se prona kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2004?
Topi: Jo, nuk e di.
Malltezi: Nga doli që kishte dalë në korrik 2007? Jua tha Qirjazi?
Topi: Nuk e di. Presidenti nuk futet të analizojë si është përgatitur shkresa. Aty ku përgatitet plani i përhapjes është Shtabi i Përgjithshëm. Presidenti nuk ka nga ta dijë.
Malltezi: Për këtë datë të vitit 2007, që ka dalë nga plani i përhapjes, nga e mësuat?
Topi: Ka qenë një prezantim i bërë te Presidenti, ku kanë qenë edhe ekspertë të NATO-s. Presidenti mund të bëjë ndonjë pyetje.
Malltezi: Nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2004. Ju paraqes një shkresë të Shtabit të Përgjithshëm që tregon se nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2006. Kush jua tha se kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2007?
Topi: Presidenti nuk komunikon me "të thashë e më the". Gjuha është institucionale.
Malltezi: Nuk ka asnjë shkresë që ta ketë pasur në planin e përhapjes dhe ju thatë se ka dalë në vitin 2007. Nga e mësuat?
Topi: Vjen nga Shtabi i Përgjithshëm dhe shqyrtohet nga këshilltarët e ekspertët e NATO-s.
(...)
Kodiana Gjyzari (avokate e Sali Berishës): Kjo procedurë i përket vitit 2007.
Gjyzari: Në Planin e Përhapjes, repartet ishin të përcaktuara me numra?
Bamir Topi: Po.
Gjyzari: Po si e mbani mend?
Topi: Sepse kur thirresh si dëshmitar bën një analizë. Unë kam miratuar një procedurë me firmë, pjesën finale. Në memorien time kanë qenë shumë reparte, nuk ka qenë një. Në mënyrë rigoroze është ndjekur procedura.
Gjyzari: Nga Prokuroria janë sekuestruar të gjitha aktet që kanë pasur të bëjnë me Planet e Përhapjes dhe ato të nënshkruara nga ju. Ju thatë se repartet janë me numra. Ju e keni miratuar të parin një muaj pasi erdhët në detyrë. Si e identifikuat që "Partizani" ishte ose jo në listë?
Topi: Kur vjen lista, jo se është e shënuar se cilat janë, por nuk është e ndaluar të mësosh se aty ka të bëjë edhe një repart konkret, si në rastin e "Partizanit". Janë këshilltarët juridikë që asistojnë. Ju doemos duhet ta hetojë Presidenti se cili është reparti, ndërkohë që ajo procedurë bëhet nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ekspertët e NATO-s.
Gjyzari: Cili është roli i Ministrisë së Mbrojtjes?
Topi: Bashkëpunon, sepse ka pjesën politike. Pjesa e ekspertizës është e Shtabit të Përgjithshëm. Tek Presidenti vijnë në momentin e fundit për firmën si akt juridik.
Gjyzari: Ju thatë se asistohej edhe nga ekspertë të NATO-s. Ju kujtohet ekspertiza që ofronin?
Topi: Mendoj se ishte në kuadrin e standardeve të NATO-s, pasi do të bëheshim pjesë e NATO-s.
Gjyzari: Në raport me Planin e Përhapjes, çfarë ofronin?
Topi: Në kuadrin e reformimit. Kur futesh në NATO, është një kuadër i gjerë reformash politike, për asetet e të tjera. Është një proces kompleks.
Gjyzari: Është marrë në konsideratë vlerësimi i ekspertëve të NATO-s?
Topi: Ekspertët kanë asistuar Shtabin e Përgjithshëm.
Gjyzari: Për takimin me zotin Qirjazi, ju kujtohet ndonjë pjesë e bisedës?
Topi: Jo. Isha në axhendën time intensive. E solli shefi i kabinetit dhe, pasi i bëra një bisedë, i thashë shefit të kabinetit të bënte një konsultë me këshilltarët.
Jamarbër Malltezi: Duke pasur para syve dekretin e Moisiut të vitit 2004, kur prona nuk ka qenë në Planin e Përhapjes, si edhe faktin që nuk ishte as në vitin 2006, a mund të hynte një pronë në Planin e Përhapjes pa dekretin e Presidentit?
Topi: Logjika kushtetuese thotë jo, por Plani i Përhapjes ka ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.
Avokati Klodjan Skënderi: Pozicioni i zëvendësshefit të Komandës së Bashkuar, me pozicionin e komandantit të Komandës Mbështetëse, si qëndron në hierarki?
Topi: Nuk di ta them.
Skënderi: Në dijeninë tuaj, tek Klubi "Partizani" ka pasur ndonjë orkestër frymore?
Topi: Nuk e di.
Bamir Topi kërkon të shtojë diçka:
Kur vjen për të dalë nga Plani i Përhapjes, vjen si pronë shtetërore dhe nga Presidenti del prapë si pronë shtetërore.
Deri në atë moment kur është nënshkruar, prona ka mbetur me atë status. Pastaj, e gjithë pjesa tjetër është pjesë e menaxhimit të administratës.
Malltezi: A ju ka bërë njeri presion për këtë, Malltezi, Berisha apo Begeja?
Topi: Kurrë, asnjë.
Gjyzari: A jua ka bërë prokurorja një pyetje të tillë?
Topi: Ju, por jam shprehur në funksion të komunikimit.
Xhimi Begeja: Ju, kur keni qenë President, keni ndikuar tek këshilltarët kundër familjes sonë për çështjen "Partizani"?
Topi: Kurrë, asnjëherë. Nuk jam marrë me këtë gjë.
Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi.
