TIRANË- Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kriteret që duhet të mbahen parasysh kur shpallet masa e arrestit në burg. Përmes një vendimi të kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi janë thirrur në një mbledhje Kolegjet e Bashkuara në 9 prill, për të rishikuar edhe njëherë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.
Konkretisht vendimi i vitit 2011 thotë se “kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme”.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë ky vendim duhet të ndryshojë për disa arsye. Në dokument nënvizohet se vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, për të argumentuar se pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative; duhet të jetë gjykata ajo që të japë prova se pse duhet vazhduar një arrest me burg dhe jo e kundërta; si edhe rrezikshmëria e një personi të akuzuar që sjell automatikisht “arrestin me burg” nuk mund të caktohet vetëm nga vepra penale.
Në nismën e ndërmarrë analizohet se për të provuar një person nga liria duhet të plotësohen disa kushte, si dyshimet e arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, rrezikshmëria që ai paraqet, rreziku për t’i shmangur drejtësisë, apo për të prishur provat ose intimiduar dëshmitarët.
"Në këtë kuadër, rishqyrtim të posaçëm kërkojnë sidomos disa formulime të vendimit unifikues nr. 7/2011, ndër të cilat veçohen këto qëndrime: Së pari, qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit "arrest në burg", "gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme".
Së dyti, qëndrimi sipas të cilit, në rastin e procedimeve penale për kryerjen e krimeve të rënda apo që kanë sjellë pasoja të rënda, "për vetë natyrën e këtyre veprave penale, të mënyrës së kryerjes e të pasojës së ardhur, është i pranishëm elementi i shkallës së lartë apo të rëndësishme të rrezikshmërisë së autorit të tyre sipas nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale", si edhe formulimi sipas të cilit "rreziku i largimit" mund të lidhet "edhe nga vetë natyra e akuzave në ngarkim të të gjykuarit, nga rëndësia e faktit, e sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj".
Së treti, qëndrimi sipas të cilit masa e sigurimit "arrest në burg" mund të çmohet e papërshtatshme "vetëm nëse ai ose mbrojtësi i tij i paraqesin gjykatës prova pozitive që tregojnë se kjo gjendje rreziku nuk është e pranishme, apo që nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë të zbatueshme masën e sigurimit arrest në burg".-thuhet në dokument.
Lëvizja e Gjykatës së Lartë vjen pasi shqetësimit të ngritur vazhdimisht për situatën e paraburgimeve në Shqipëri. Vetë kryeministri Edi Rama ka ngritur dyshime për mënyrën si po aplikohen masat e sigurisë dhe paraburgimet në disa raste. Kreu i qeverisë ka deklaruar nga mbledhja e grupit parlamentar se institucionet e drejtësisë duhet të reflektojnë mbi ndikimin e vendimeve të tyre, ndërsa pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv duhet të kontribuojnë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi pasojat që mund të sjellë përdorimi i pakontrolluar i kompetencave.
Edi Rama: Cilido që realizuar qëllime të fshehura, nuk është padiksutim i pandëshkueshëm. Po sikur menaxheri i KESH, prej kohësh në arrest shtëpie, por sikur të jetë i pafajshëm, kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes. Po sikur të jenë të vërtetë, për 58 njerëz që sot janë nëpër burgje dhe nuk iu është bërë gjyqi. Çfarë ndodh me ata? Po ka plot e plot të pafajshëm që kanë ngelur me trauma. E di ku janë një pjesë e madhe e tyre?! E kanë lënë punën në shtet, nuk firmosin asnjë copë letër, nga frika. Disa kurohen nga psikologët. Çfarë ka fituar këtu drejtësia, shteti?! Që për hir të së vërtetës kemi burime njerëzore të kufizuara. Këto pyetje duhet t’ua bëjnë vetes njerëzit e drejtësisë. Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv duhet t’i bëjë më te vetëdijshëm për dëmet që mund të shkaktojë, fuqia e tyre nga egoja. Janë për t’u frenuar sa më shumë. Fuqia e tyre e pakontrolluar, nga prindi, vëllai, motra, qytetari brenda tyre. Jo për të mbyllur sytë para provave dhe fajin, por për të hapur sytë 4 që faji të mos jetë fati i paracaktuar nga egoja e tyre. Kur grupi ynë i punës që po punon me ekspertë të drejtësisë së Italisë dhe të Francë, ekspertja e palës franceze tha “Nuk niseni nga liria që mundëson drejtësinë, por nga drejtësia që heq lirinë.
Edhe në një postim në rrjete sociale Facebook, Rama është shprehur se formula e paraburgimit ka marrë në qafë shumë njerëz.
"Kjo formulë ka marrë në qafë shumë njerëz që në fund kanë dalë të pafajshëm, po edhe të dërrmuar psikologjikisht, apo që mban sot nëpër burgje pa gjyq njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm, është një ndër disa pikat mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht, për ta bërë Shqipërinë një vend prezumimi i pafajësisë të mos dhunohet nga prezumimi i fajësisë,"-shkruante Rama krahas një deklarate të Nicola Lettieri, zv prokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë i cili shpjegoi se si kjo praktikë mund të ndryshohet.
View this post on Instagram
Aktualisht në burgje janë 4503 të burgosur nga të cilët 2573 janë të paraburgosur, për të cilën nuk ka ende një vendim fajësie./ZËRI
