
DIBËR-Një parakalim i gabuar me automjetin e policisë ka vendosur nën hetim efektivin që drejtonte mjetin e uniformave blu. Kanë qenë qytetarët ata që kanë filmuar ngjarjen në tunelin e Murrizit dhe Policia Rrugore e Dibrës ka marrë masa. Po ashtu për shkak të shkeljes së rëndë të kryer, për efektivin e Komisariatit të Matit ka nisur edhe një hetim disiplinor.
Hetimit disiplinor do t’i nënshtrohet edhe shefi i Komisariatit në fjalë, pasi ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin në fjalë, në momentin kur inspektori me iniciale A.S kreu parakalimin e gabuar. Për këtë të fundit u vendos gjoba me 40000 lekë të rinj dhe i janë zbritur 15 pikë nga Leja e Drejtimit.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të postuar në rrjetin social "JOQ Albania", ku shfaqet një automjet policie duke kryer parakalim brenda tunelit të Murrizit, menjëherë është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit të Policisë së Komisariatit të Policisë Mat, punonjësi i Policisë, Inspektor A.S.
Për shkeljen e kryer, Policia Rrugore e Dibrës i ka vendosur masën admistrative me vlerë 40000 lekë të rinj dhe drejtuesit të automjetit i janë zbritur 15 pikë nga Leja e Drejtimit.
Ndërkohë, për këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nisur nga fakti që shkelja është kryer nga punonjësi i policisë dhe me automjet të policisë, shkelje e cila ka impakt tek qytetarët dhe cënon imazhin e Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e hetimit disiplinor për drejtuesin e automjetit dhe për shefin e Komisariatit të Policisë Mat, i cili ka qenë duke udhëtuar me automjetin e konstatuar në shkelje.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në zbatim të Nenit 121, Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” ka nisur hetimin disiplinor ndaj drejtuesit të mjetit Inspektor A.S., dhe Kryekomisar E.S., me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Mat, për shkelje të rëndë: “kryerja e veprimeve që cënojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi” dhe “Keqpërdorimi i atributeve/ kompetencave të policisë”.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë dhe çdo paligjshmëri tjetër duke ju garantuar reagim të shpejtë e profesional./ZËRI