TIRANË-Një sherr masiv mes disa të rinjve është parandaluar në Tiranë. Lidhur me rastin janë proceduar në gjendje të lirë 28 të mitur. Konflikti masiv mes disa grupe të miturish u parandalua nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët pasi u njoftuan shkuan menjëherë në zonën e Kombinatit, aty ku ishte lënë dhe takimi i përballjes. Të miturve të moshës 13-17 vjeç iu gjetën thika, kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Sherri mes të miturve ka nisur nga TikTok-u. Njëri prej tyre ka pretenduar se i kanë ngacmuar motrën në rrjetet sociale dhe ka mbledhur një grup për t’u konfliktuar. Të miturit ishin ndarë në grupe, mes tyre nga Selita, Yzberishti, 21 Dhjetori dhe ish-Parku.
Njoftimi i policisë:
Procedohen në gjendje të lirë 28 shtetas të mitur, disa prej të cilëve posedonin armë të ftohta/ mjete të mprehta.
Sekuestrohen 5 armë të ftohta/mjete të mprehta.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.
Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.