TIRANË- Antoneta Sevdari, Afërdita Ndoj dhe Eloida Goxhi janë tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Zgjedhja e tyre u bë sot gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve të Shqipërisë, e zhvilluar në Durrës.
Tre anëtaret e reja do të përfaqësojnë nivele të ndryshme të sistemit të prokurorisë. Antoneta Sevdari është zgjedhur përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme, Afërdita Ndoj do të përfaqësojë prokuroritë e apelit, ndërsa Eloida Goxhi prokuroritë e shkallës së parë.
Treshja do të zëvendësojnë Sokol Stojanin, Ledina Rizën dhe Zeqir Hodën, të cilëve u ka përfunduar mandati si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me përfundimin e procesit të zgjedhjes, plotësohen tre vendet e mbetura vakante në këtë institucion.
Kush janë 3 anëtarët e rinj
Antoneta Sevdari është magjistratja e parë në Shqipëri që rikthehet në sistemin e drejtësisë pas përmbysjes së një vendimi të formës së prerë të vetingut. Sevdari u përjashtua nga organi i akuzës pas procesit të vetingut në vitin 2019. Por, ajo e fitoi fitoi betejën nga Gjykata Evropiane e Drejtave të Njeriut, në Strasburg. Kjo gjykatë vlerësoi shkelje në shkarkimin e saj dhe detyroi shtetin shqiptar të rishikonte vendimin, nëse kjo kërkohej nga Sevdari.
Afërdita Ndoj është u përball me Vetingun më 7 tetor për ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional. Trupa Gjykuese pasi shqyrtoi provat dhe fakte dhe dëgjoi subjektin e rivlerësimit vendosi konfirmimin në detyrë të prokurores. Prokuroja Afërdita Ndoi është diplomuar në shkollën e Magjistraturës në vitin 2003. Ajo është emëruar fillimisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe është transferuar në vitin 2009 në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Eloida Goxhi, në vitin 2010 ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe e ka nisur fillimisht detyrën e saj në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa në vitin 2010 ajo është emëruar në Prokurorinë e Beratit. Në vitin 2018, ajo kaloi vetingun dhe u konfirmua si e përshtatshme për të vazhduar detyrën.
Gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, kryeprokurori Olsian Çela shprehu besimin se anëtarët e rinj të KLP-së do të përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme për ushtrimin e detyrës.
Mbledhja u zhvillua në një kohë kur procesi i vlerësimit të pesë kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm kishte hasur në një ngërç. Procesi u zhbllokua më 8 tetor 2026, pasi KLP-ja rrëzoi me shumicë votash kërkesat e ndërsjella të kandidatëve për përjashtimin e anëtarëve të Këshillit nga vendimmarrja.
Në garë për këtë post janë pesë kandidatë: Adnan Xholi (prokuror i SPAK), Arta Marku (ish-Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme), Fatjona Memçaj (prokurore në Eurojust), Rovena Zoto (prokurore në Tiranë), Ylli Pjetërnikaj (pedagog dhe prokuror)./ZËRI