Aktualitet

'Partizani'! Ish-Ministri Gazmend Oketa: Kanë kaluar 18 vite...klubi s'kishte interes për Ministrinë e Mbrojtjes

Përveç tij, janë thirrur edhe Elvira Lame, Paro Laçi dhe Isa Tare.

F.I
'Partizani'! Ish-Ministri Gazmend Oketa: Kanë kaluar 18
Gazmend Oketa

TIRANË-Gazmend Oketa, ish-Ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri në qeverinë e kryedemokratit Sali Berisha është paraqitur sot në GJKKO, si dëshmitar për aferën e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani". Oketa iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve lidhur me rolin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe statusin e pronës ku ndodhej ish-Klubi Sportiv “Partizani”.

Ish-ministri ka deklaruar se në kujtesën e tij klubi ka funksionuar si subjekt privat dhe nuk ka qenë objekt diskutimesh institucionale në ministri. I pyetur për nisjen e zbatimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave lidhur me pronën gjatë kohës kur drejtonte ministrinë, ai theksoi se nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në këtë çështje, duke argumentuar se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte rol funksional si institucion sporti apo administrues i tillë pronash.

SPAK: Kur ke qenë ministër i Mbrojtjes dhe çfarë funksionesh ke pasur?

Oketa: Kam qenë zëvendëskryeministër, më pas kam marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes. 2009–2012 kam qenë deputet i Kuvendit.

SPAK: Çfarë ishte Klubi Partizani në raport me Ministrinë e Mbrojtjes?

Oketa: Në kujtesën time, Klubi Partizani ka pasur zero interes për Ministrinë e Mbrojtjes. S’më kujtohet të kishte interes të veçantë. Në dijeninë time administrohej nga persona privatë. Pothuajse në asnjë nga diskutimet apo mbledhjet nuk mbaj mend të ketë pasur një zë që ky klub të zinte një vend të veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes.

SPAK: Në kohën kur ishe ministër i Mbrojtjes, ke nisur zbatimin e VKM-së së qeverisë për klubin?

Oketa: Kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe jo ministër sporti. Nuk kishte vend të veçantë për ne, sepse nuk ishte një vend që mund të përdorej nga Ministria e Mbrojtjes. Klubi Partizani, në kujtesën time, ka qenë një klub privat. Unë as e kam konsideruar fare si një institucion kulturor; nuk e bën godina, por puna.

SPAK: Jeni interesuar për pronën, duke qenë se ishte në varësinë tuaj?

Oketa: Për herë të parë në tavolinën time kjo çështje më ka ardhur në zyrë si praktikë që ajo pronë ishte e pronarëve. Praktika ishte e plotë dhe ata kishin bërë edhe pagesën. Nuk kisha asnjë arsye pse ta mbaja atë pronë në varësi.

Oketa: Edhe sot, nëse shikoni faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, keni një sektor që flet për pronat dhe ende sot nuk kemi një inventar të pronave. Kishte ushtarakë që e kundërshtonin, meqë kishte ardhur përgjigjja nga Këshilli i Ministrave, atëherë unë kam dhënë direktivën që të ndiqen të gjitha procedurat ligjore në fuqi, për sa kohë pronarët kishin dokumente të shtetit në lidhje me këtë çështje. E theksoj edhe një herë: nuk ka pasur interes për Ministrinë e Mbrojtjes.

SPAK: A keni pasur përfaqësues të ministrisë kur është bërë vlerësimi?

Oketa: Unë nuk kujtoj të kem autorizuar ndonjë ushtarak në lidhje me këtë çështje. Kanë kaluar 18 vjet nga ajo kohë, por nëse keni ndonjë dokument me firmën time, jam i gatshëm t’i dal për zot. Ministria e Mbrojtjes ka pasur 12 mijë persona personel civil dhe ushtarak. Nëse ju pretendoni që ministri duhet të kujdeset për çdo gjë, atëherë stafi duhet të ikë në shtëpi. Futem tek ato politika që kam firmosur për shumë delegime kompetencash; mund t’i shikoni në dokumenta.

SPAK: Urdhrin që keni firmosur që ta dorëzonte komanda mbështetëse, jeni njohur me ndonjë dokument?

Oketa: Çdo person që ka pasur për detyrë për të ndjekur këtë praktikë ka firmosur dhe në fund ka ardhur tek unë. Pas vitit 1990 shumë prona të Ministrisë së Mbrojtjes dolën të tepërta dhe shumë prona dalin nga plani i përhapjes sepse nuk i duhen ushtrisë. Edhe në këtë rast është ndjekur e njëjta praktikë. Nuk është e vetmja pronë që është kthyer. Sepse kur prona del nga plani i përhapjes, shteti e përdor për interesa të tij nëse nuk ka pronarë.

Në një fragment në dosjen hetimore të SPAK siguruar nga ZËRI, i pyetur gjatë hetimit nëse kishte dijeni se objektet e klubit të futbollit Partizani, shfrytëzoheshin nga ndonjë subjekt privat Gazmend Oketa, deklaronte: Kam qenë në dijeni që shfrytëzoheshin nga Klubi i Futbollit Partizani por nuk e di se në çfarë mënyre ishte vendosur kjo marrëdhënie me terrenet dhe objektet që ishin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI

Poll

MOS HUMB