TIRANË- Këtë martë është mbajtur një tryezë konsultimi e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, në kuadër të procesit të Kontrollit Post-Legjislativ (PLS) për Ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e cilësoi këtë proces si të vonuar. Sipas Manjas, efektiviteti i ligjit matet përmes rezultateve konkrete në sekuestrimin e pasurive kriminale.
"Fakti që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara prodhon të ardhura nga asetet në sekuestrim e shoh si zgjerim të portofolit dhe efektiviteit të punës së SPAK. Vetëm për 5 mujorin e parë të 2026 agjencia ka marrë në administrim mbi 1 mijë pasuri të sekuestruara dhe ka nevojë për një rol tjetër të agjencisë. Ato pasuri duhet të gjenerojnë të ardhura, ekonomi. Jam dakort që përfituesit e parë të këtyre pasurive të jenë bashkitë, instiucionet, e në fund pse jo ankandi", tha Manja.
Nga ana tjetër, sipas PD-së, ligji nuk ka dhënë efektet e pritshme në luftën kundër pastrimit të parave. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, tha se Shqipëria është kthyer në një vend ku riciklohen para me burim kriminal, duke përmendur veçanërisht sektorin e ndërtimit.
"Shqipëria është bërë një vend për riciklimin e parasë që vjen nga trafiqet, nga krimi ndërkombëtar. Duke mbyllur sytë se nga vijnë këto burime, sidomos në sektorin e ndërtimit, ndodh vetëm kur shteti ta lejon. Ligji antimafia nuk përbën më problem… ky tehu i mprehtë është i drobitur ose është biçak", tha Oerd Bylykbashi
Në tryezë ishte i pranishëm edhe drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, i cili tha se propozimet e institucionit që ai drejton janë reflektuar në draftin vlerësues të ligjit antimafia.
Braho theksoi se një pjesë e problematikave nuk lidhen domosdoshmërisht me vetë ligjin, por me mënyrën e zbatimit të tij nga institucionet përgjegjëse. Sipas Brahos 'zbatimi në mënyrë të gabuar është përgjegjësi e personave të ngarkuar për ta zbatuar dhe s’ka pse të jetë proces i një rishikimi ligjvënës'.
“SPAK i është përgjigjur kërkesës së Komisionit duke paraqitur të dhëna mbi zbatimin e ligjit antimafia, rezultatet e arritura, vështirësitë praktike të hasura gjatq hetimit pasuror, dhe një grup propozimesh konkrete për përmirësimin ekuadrit ligjor dhe insitucional. Nga ballfaqimi i kontributit të institucionit me draftraportin rezulton se 12 çështjet e ngritura nga SPAK janë reflektuar në gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.
Ky është një rezultat pozitiv i procesit të konsultimit dhe tregon se përvoja e institucioneve që zbatojnë ligjin është marrë në konsideratë gjatë haritmit të raportimet.
Propozimet dhe gjetjet janë reflektuar në tre drejtime: në qartësimin e kudarit ligjor, me element që kanë të bëjnë me fushën e zbatimit të ligjit por edhe me rregullim më të saktë ligjor të veprimit të ligjit në kohë. Kur flasim për këtë nuk kemi parasysh vetëm kohën para dhe pas miratimit të ligjit por veprimin e ligjit në lidhje me kohën e krijimit të pasurise dhe me kohën kur është kryer veprimtaria kriminale.
Drejtimi i dytë ka të bëjë me forcimin e garancive proceduariale, një element i rëndësishëm, sidomos neni 12 i ligjit mendojmë se ka nevojë të përmirësoshet për të reflketuar aty të drejtat e palëve të treta të cilat sipas dispozitës pasuria mund të sekuestrohet pa qenë të pranishëm në seancë.
Kemi adresuar dhe pengesat praktike të hetimit pasuror dhe një prej tyre është heqja e pagesës për marrjen e dokumentacionit. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si është konceptuar marrja e dokumentacionit nga Prokuroria. Vlerësojmë që rapoorti ka integruar në mënyrë konkrete kontributin e Prokurorisë. Sfida mbetet që këto përcaktime të kthehen në dispozita ligjore dhe SPAK është gati të kontribuojë në diskutimin e drafteve të mëtejshme ligjore që mendojmë se duhet të ndryshohen te ky ligj.
Mendoj se duhet të ndajmë dy gjëra, rastin kur ka probleme ligji dhe kur ligji zbatohet në mënyrë të gabuar. Sepse zbatimi në mënyrë të gabuar është përgjegjësi e personave të ngarkuar për ta zbatuar dhe s’ka pse të jetë proces i një rishikimi ligjvënës. Për sa i përket palëve të treta, mendoj se ligji në fjalë mendoj që afron mbrojtjen. Nuk ka gjykim sipas ligjit për konfiskimin e një prone që është në emër të tretë dhe personi i tretë të mos jetë i pranishëm në gjykim. Është detyrim ligjor i gjykatës dhe në praktikë ndodh që gjykata thërret personin që ka emrin në dokumentet e pronësisë.
Ligji në fakt parashikon si mundësi konfiskimin e pasurive në emër të të tretëve vetëm nëse provohet që në mënyrë indirekte është pasuri e dikujt tjetër, dhe kam përshtypjen që kjo në praktikë ngatërrohet. Ligji në një interpretim të saktë është i mirërregulluar në këtë pjesë. I vetmi moment që lidhet me palët e treta është neni 12 kur rrezikohet, kur prokurori mund të shkojë me një kërkese evokim sekuestro nëse gjykata në atë gjykim mund të vendosë konfiskim. Ai moment do një rregullim të menjëhershëm ligjor, pjesët e tjera pastaj si barra e proves, si kohëzgjatja janë procese që ligji i rregullon dhe problematika zgjidhet duke zbatuar ligjin në mënyrë të saktë dhe të plotë”, tha kreu i SPAK.
Ligji iu nënshtrua një kontrolli post-legjislativ nga Kuvendi duke kërkuar vlerësime e të dhëna nga 17 institucione nga SPAK, KLGJ, KLP, Avokati i Popullit, AMF, AIF, deri te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Procesi i Kontrollit Post-Legjislativ synon të vlerësojë zbatimin dhe efektivitetin e ligjit antimafia, si dhe nevojën për ndryshime në kuadrin ligjor.
Ligji nr. 10192, datë 3 dhjetor 2009, "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë", njihet si ligji antimafia.
Qëllimi i ligjit antimafia është parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe veprave të tjera penale, përmes konfiskimit të pasurive të personave që dyshohen se i kanë krijuar ato nga veprimtari kriminale dhe nuk justifikojnë burimin e tyre ekonomik./ZËRI