POGRADEC- Një incident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Pogradec, ku një konflikt i çastit mes bashkëshortëve ka përfunduar me plagosjen e një gruaje me mjet prerës.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur brenda banesës së çiftit në lagjen nr. 4 të qytetit. Dyshohet se pas një debati mes tyre, 30-vjeçari Renato Xhaja ka goditur me thikë bashkëshorten e tij 28-vjeçare Bleona Xhaja, e cila ka marrë 2 plagë, në bark dhe krah.
E dëmtuara është transportuar fillimisht në spitalin e Pogradecit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, pritet të transferohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Burime paraprake bëjnë me dije se gruaja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autori i dyshuar është shoqëruar nga efektivët e Policisë së Pogradecit në komisariat. Çifti mësohet se jeton në Greqi, por kishte ardhur me pushime te familjarët e tyre.
Po sipas burimeve, dyshohet se ai mund të vuajë nga probleme të shëndetit mendor, por kjo rrethanë mbetet ende në verifikim nga grupi hetimor.
Njoftimi i Policisë:
Pogradec / Informacion paraprak.
Plagosi me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, kapet në flagrancë në banesë falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe shoqërohet në Komisariat 30-vjeçari.
Rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4, Pogradec, shtetasi R. Xh., 30 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti në banesë ka plagosur me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen B. Xh., 28 vjeçe, e cila po merr mjekim në spital.
30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pogradec dhe po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI