LUSHNJË- Reperi i njohur, Kleviol Ahmeti, i njohur si "Cllevio" është pritur në një takim zyrtar nga kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Sefa shfaqet krah artistik, duke e vlerësuar atë si "këngëtarin e qytetit tonë". Sipas njoftimit të kryebashkiakes, në muajin tetor pritet të organizohet një koncert falas në Lushnjë, me iniciativën e Cllevios dhe me pjesëmarrjen e emrave të tjerë të njohur të muzikës shqiptare.
"Me këngëtarin e qytetit tonë, reperin e talentuar Kleviol Ahmeti që njihet me emrin e artit Cllevio! Në tetor me iniciativën e tij do të kemi falas një koncert të madh muzikor në Lushnjë me prezencën e të tjerë emrave të njohur të muzikës sonë! Faleminderit Cllevio", shkruan kryebashkiakja në postimin e saj.
Organizimi i këtij koncerti vjen vetëm pak ditë pas polemikave të forta që shkaktoi një aktivitet i zhvilluar në Bibliotekën e Lushnjës, ku u recituan vargje për Enver Hoxhën. Pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, pati reagime nga radhët e opozitës. Deputeti Saimir Korreshi e denoncoi aktivitetin, duke e cilësuar si glorifikim të diktatorit.
Ndërkohë, Biblioteka e Lushnjës reagoi ndaj kritikave, duke publikuar pamjet e plota të aktivitetit dhe duke argumentuar se imazhet e publikuara më herët ishin interpretuar jashtë kontekstit./ZËRI

