LUSHNJE-Pas pamjeve të ndara në rrjet nga një aktivitet në Lushnjë ku i këndodhej dhe duartrokitje Enver Hoxha, Biblioteka e qytetit ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar nga deputeti demokrat Saimir Korreshi. Biblioteka e Lushnjës ka ndarë pamjet e plota nga aktivitet dhe thekson se imazhet janë interpretuar jashtë kontekstit. Në reagimin për opinionin publik thuhet se në materialin e publikuar, pedagogia vjen një familje me një histori persekutimi dhe tregon një episod nga fëmijëria e saj, në periudhën kur vdiq diktatori Enver Hoxha. Ajo tregon se ishte nxënëse e shkëlqyer dhe se, pavarësisht biografisë së keqe familjare, prezantonte dhe recitonte poezi në aktivitetet e shkollës.
SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK:
Në lidhje me promovimin e librit të z. Neki Ngucaj, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik lidhur me disa keqinterpretime të krijuara pas publikimit të pamjeve nga aktiviteti.
Ky aktivitet u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe u zhvillua në ambientet e Bibliotekës. Ai nuk ishte një aktivitet i organizuar nga Bashkia apo nga Biblioteka, por një veprimtari e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, e cila kishte zgjedhur ambientet e Bibliotekës për zhvillimin e saj.
Kryetarja e Bashkisë dhe stafi i Bibliotekës morën pjesë në aktivitet me ftesë të familjarëve të autorit dhe të organizatorëve. Pjesëmarrja në këtë veprimtari ishte në respekt të autorit, familjes së tij dhe historisë së saj, veçanërisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një familje me një histori persekutimi. Na vjen keq që disa pamje të shkëputura nga aktiviteti janë interpretuar jashtë kontekstit dhe kanë krijuar një perceptim të ndryshëm nga qëllimi dhe përmbajtja reale e veprimtarisë.
Biblioteka është një hapësirë publike dhe kulturore, dyert e së cilës janë të hapura për promovime librash, aktivitete letrare, artistike dhe kulturore të organizuara nga institucione, shoqata, organizata dhe individë. Respekti ndaj kulturës, letërsisë, autorëve dhe historive familjare që mbartin kujtesën e një periudhe të vështirë të shoqërisë sonë është dhe mbetet në themel të mbështetjes së këtyre aktiviteteve. Ky sqarim bëhet me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik dhe vendosjen e ngjarjes në kontekstin e saj të vërtetë.
