Aktualitet

SPAK në fokus AZHT dhe Kadastrën? Gazetari: Sekuestrohen dokumente për lejet e ndërtimit, dyshime për pastrim parash

Hoxhaj deklaroi se Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk ka publikuar prej të paktën pesë muajsh leje të reja ndërtimi, ndërsa pretendoi se gjatë javëve të fundit agjentë të BKH-së kanë kryer veprime në këtë institucion dhe kanë sekuestruar dokumente që lidhen me lejet e ndërtimit.

M.K.
SPAK në fokus AZHT dhe Kadastrën? Gazetari: Sekuestrohen dokumente
foto ilustruese


TIRANË- Në një intervistë për SYRI TV gazetari Julian Hoxhaj ka folur për zhvillime të reja që lidhen me hetimet mbi sektorin e ndërtimit dhe pastrimin e parave.

Hoxhaj deklaroi se Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk ka publikuar prej të paktën pesë muajsh leje të reja ndërtimi, ndërsa pretendoi se gjatë javëve të fundit agjentë të BKH-së kanë kryer veprime në këtë institucion dhe kanë sekuestruar dokumente që lidhen me lejet e ndërtimit.

“Ka të dhëna që agjentët e BKH-së kanë mësyrë përgjatë javëve të fundit në këtë institucion dhe kanë sekuestruar dokumentacione që lidhen me lejet e ndërtimit”, u shpreh gazetari.

Sipas Hoxhajt, veprimet hetimore mund të lidhen me dyshime për pastrimin e parave përmes sektorit të ndërtimit dhe aktiviteteve të tjera ekonomike. Ai përmendi edhe Kadastrën duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën për personat apo subjektet që zotërojnë një numër të madh apartamentesh dhe pronash.

“Ajo që është e rëndësishme është që ka edhe institucione të tjera, siç është rasti i Kadastrës, që nuk bëjnë transparencë publike mbi ata që sot posedojnë dhjetëra, mijëra apartamente”, deklaroi Hoxhaj.

Deri në këtë faz nuk ka një konfirmim publik nga SPAK apo BKH për detajet e veprimeve të përmendura nga gazetari.

Reagimi i plotë i gazetarit: 
“Agjencia e Zhvillimit të Territorit, pra Këshilli Kombëtar i Territorit, nuk ka publikuar për të paktën pesë muaj asnjë leje të re ndërtimi. Ka të dhëna gjithashtu që agjentët e BKH-së kanë mësyrë përgjatë javëve të fundit në këtë institucion dhe kanë sekuestruar dokumentacione që lidhen me lejet e ndërtimit. Dyshimet janë që janë sekuestruar mjaftueshëm prova për të goditur veprimtarinë e paligjshme të pastrimit të parave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së Shqipërisë.”/ZËRI

Poll

MOS HUMB