Aktualitet

Pastroi mbi 18 mln euro! Rezart Taçi në arrati, dënohet edhe në Zvicër: Mashtrime në tregtinë e naftës

Taçi është i dyshuar prej të paktën katër vitesh në Shqipëri për pastrim parash dhe lidhje me krimin e organizuar, përfshirë kontakte të dyshuara me mafien siçiliane.

F.I
Pastroi mbi 18 mln euro! Rezart Taçi në arrati, dënohet edhe
Rezart Taçi

ZVICËR-Biznesmeni shqiptar Rezart Taçi është dënuar me 30 muaj burgim nga një gjykatë në Zvicër për mashtrime financiare në lidhje me tregtinë e naftës. Gjykata vlerësoi se nga këto, 24 muaj janë me kusht dhe do të zbriten edhe 195 ditë të kaluara më parë në paraburgim në Zvicër. Taçi ka rënë dakort të dëmshpërblejë SGS me 8.8 milionë dollarë (nga të cilët vetëm 5% janë likuidë), si dhe të paguajë shpenzimet gjyqësore.

Taçi ka kryer mashtrime të sofistikuaradhe falsifikime dokumentesh duke dëmtuar rëndë kompaninë ndërkombëtare të certifikimit SGS, e cila deri së fundmi kishte selinë në Gjenevë. 54-vjeçari i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, është gjykuar në mungesë. Mediat e huaja raportojnë se edhe pse ndodhet në arrati, njëri prej avokatëve të tij konfirmoi se e kishte kontaktuar së fundmi, dhe se biznesmeni ka pranuar akuzat ndaj tij. 

"Nuk mund t'ju them se ku është, por fola përsëri me të mbrëmjen e së hënës 25 gusht. Ai e ka lexuar aktakuzën dhe pranon faktet."-deklaroi avokati i tij, Pascal Maurer.

"Ai është në Shtetet e Bashkuara," beson Presidentja Alessandra Armati. 

Biznesmeni shqiptar Rezart Taçi është i dyshuar prej të paktën katër vitesh në Shqipëri për pastrim parash dhe lidhje me krimin e organizuar, përfshirë kontakte të dyshuara me mafien siçiliane. Taçi kishte gjeneruar deri në 1.5 miliardë dollarë nga aktivitetet e tij në tregtinë e naftës, të cilat i nisi në fund të viteve 1990 me themelimin e kompanisë “Taçi Oil”.

Sipas gjykatës, një nga skemat më të sofistikuara të mashtrimit përfshinte manipulimin e sasisë së karburantit në cisterna përmes instalimit të valvulave të fshehta, që lejonin shkarkimin e mallrave pa u vënë re nga SGS apo palët e tjera. Ai gjithashtu përdori dokumente të falsifikuara për të mbuluar mungesën e naftës.

Kujtojmë se Rezart Taçi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në nëntor të vitit 2021, pasi u  akuzua se ishte përfshirë në një operacion financiar për fshehjen e mbi 18 milionë eurove. Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon. Sipas hetimit të zhvilluar nga drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Palermos dhe nga SPAK, operacioni financiar për pastrimin e parave është shtrirë në Itali, Zvicër dhe Tiranë./ZËRI

Poll

MOS HUMB