TIRANË-Hysen Neza dhe Kevin Neza janë arrestuar pasi kanë marrë me forcë në Tiranë një 32-vjeçar e kanë mbajtur disa orë në një ambient në Xhafzotaj, duke e kanosur dhe ushtruar dhunë fizike me qëllim zhvatjen e parave. Lidhur me rastin në kërkim është shpallur edhe një 28-vjeçar, Jurgen Neza.
Ngjarja ka ndodhur me 31 mars, ku sipas kallëzimit të viktimës tre persona e kishin futur në një automjet dhe më pas e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat në Xhafzotaj.
32-vjeçari Florian Sula, biznesmen nga Divjaka, kishte vetëm rreth dy muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi ndodhej jashtë vendit. Sula njihet edhe si bos call centraash, i skeduar për mashtrim me pasoja të rënda, grup kriminal dhe pastrim parash në ndërtim, pjesë e grupit të Amant Josifit. Ditën e ngjarjes, ai ndodhej duke pirë kafe pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, kur tre autorët i janë afruar sapo është larguar nga lokali. Pengmarrësit i janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe e kanë detyruar të hipte në automjet.
Fillimisht i kanë kërkuar 2 milion euro, por pasi 32-vjeçari ka kundërshtuar ata e kanë dhunuar dhe më pas i kanë kërkuar 1 milion euro, por sërish i riu ka thënë se nuk ka aq para. Më pas i kanë kërkuar “500 mijë euro” ku e kanë liruar që ky të shkonte të merrte paratë. Menjëherë pas lirimit, biznesmeni 32-vjeçar i është drejtuar policisë, ku ka denoncuar me detaje të gjithë ngjarjen, duke i vënë në lëvizje për kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Morën me forcë një 32-vjeçar, e mbajtën në një ambient në Xhafzotaj, duke e kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për përfitimin e një vlere monetare, identifikohen 3 autorët e dyshuar.
Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallet në kërkim një tjetër.
Sekuestrohen 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në vijim të kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili deklaroi se më datë 31.03.2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet”.
Në kuadër të operacionit:
-u ndaluan shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç;
-u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.