Aktualitet

Përplasja me Anuela Ristanin/ Ola Xama: Solidarizim me Piranjat, në vend të ndjesës, kryetarja fyen gazetarin

Xama thekson se stafi i emisionit investigativ kishin zbatur çdo standard etike, ku çdo fjalë në tekst ishte e faktuar me pamje, ndërsa Ristani në vend që të kërkonte ndjesë apo të jepte ndonjë shpjegim mbi rastin, zgjodhi të fyente gazetarin.

F.I
Përplasja me Anuela Ristanin/ Ola Xama: Solidarizim me Piranjat, në
Ola Xama

TIRANË-Gazetarja Ola Xama ka reaguar për përplasjen e kryetares në detyrë të bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit ndaj gazetarit të "Piranjave", Edon Kuqi, pas një investigimi ku zbulohej se automjetet e bashkisë së bashku me shoferët i vihenin në dispozicion nevojave të familjes së saj.

Gazetarja ka sjellë si shembull rastin e ish-kryeministrit anglez David Cameron, i cili 12 vjet më parë harroi vajzën e tij 8-vjeçare në një lokal. Ajo shprehet se kjo ngjarje i erdhi në vëmendje pas investigimit që u transmetua dje nga emisioni "Piranjat", ku tregohej se kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani bashkëshorti dhe fëmija e saj, përdorin 3 automjete dhe 3 shoferë të paguar me paratë publike për nevoja personale. 

Xama thekson se stafi i emisionit investigativ kishin zbatur çdo standard etike, ku çdo fjalë në tekst ishte e faktuar me pamje, ndërsa Ristani në vend që të kërkonte ndjesë apo të jepte ndonjë shpjegim mbi rastin, zgjodhi të fyente gazetarin. Sa i përekt gjuhës fyese ndaj gazetarit dhe akuzave për ndjekje të fëmijës, Xama arsyeton se nëse kryetarja në detyrë do të ishte e shqetësuar për fëmijën e saj, ajo nuk do ta përdorte atë gjuhë para kamerave sepse së pari do ta keqedukonte

REAGIMI:

12 vjet më parë, një nga ngjarjet që zuri qendër të vëmendjes në median ndërkombëtare për javë të tëra ishte një video që tregonte kryeministrin britanik David Cameron duke harruar vajzën e tij 8-vjeçare në një pub.

Të gjitha mediat, përfshirë transmetuesin publik BBC News, e raportuan atë si lajm, duke ndjekur të gjitha standardet mediatike. Videoja mbulonte imazhet dalluese të vajzës, tregonte incidentin dhe rrugën që ndoqi, dhe përfshinte ekspertë që ofruan statistika se sa të zakonshme ishin këto raste midis prindërve. Çifti Cameron u kontaktua përfundimisht dhe tha se "u ndjemë të lehtësuar që e gjetëm dhe që kjo mund t'i ndodhte kujtdo".

Paralelisht, u vu në diskutim një debat shumë i madh: A mund të vihet një fëmijë 8-vjeçar në qendër të raportimeve për 1 muaj vetëm sepse babai i saj është kryeministër? Pse mijëra fëmijë që u ka ndodhur e njëjta gjë nuk iu nënshtruan raportimeve të ngjashme? Pse duhet të rrezikohet trauma psikologjike e një të mituri dhe të shkelet privatësia se si një familje e kalon pasditen e saj?

Këto pyetje u eklipsuan nga pyetje të tjera: A është në interes të publikut që kryeministri harron fëmijën e tij në lokal? A kemi të bëjmë me një kryeministër të papërgjegjshëm në qeveri, kur ai është i tillë në jetën familjare?

Kjo ngjarje më kujtoi atë që ka ndodhur orët e fundit me investigimin e transmetuar nga emisioni Piranjat. Kryetarja e bashkisë së komanduar të Tiranës, bashkëshorti dhe fëmija i saj, përdorin 3 automjete dhe 3 shoferë të paguar me para publike për nevoja personale. Përballë këtij fakti, në vend që të kërkojë falje ose të japë një shpjegim njerëzor për rrethanat familjare që e detyruan të kryejë këtë abuzim, znj. Ristani fillon të fyejë gazetaren! Asnjë ndryshim në nivelin e arrogancës me paraardhësen e saj, asnjë përgjegjësi - përkundrazi, ajo bën deklarata që nxisin gjuhë urrejtjeje kundër gazetarëve dhe misionit të tyre. Edhe pas transmetimit të emisionit nuk pati asnjë reflektim, por një kërcënim për hetime penale për përndjekje dhe shkelje të jetës private të fëmijës.

Nëse znj. Ristani do të ishte e shqetësuar për fëmijën, ajo nuk do ta përdorte atë gjuhë para kamerave sepse së pari do ta keqedukonte fëmijën e saj. Nëse do të ishte vërtet e shqetësuar për të, ajo nuk do t'i mësonte se si vidhen dhe abuzohen fondet shtetërore kur ai është i mitur.

Por tema këtu nuk është morali që ajo po përpiqet të na komunikojë, as morali që ne si nënë duhet të bëjmë, edhe kur ajo është kryebashkiake. Pika kryesore këtu është se me fondet publike fëmija i saj shoqërohet në shkollë, burri i saj në punë dhe ajo vetë në palestër. Pra, logjika e kësaj familjeje është se fëmijës nuk i duhet të cenohet privatësia sepse nëna e tij ka një pozicion publik, por ai mund të përfitojë nga përfitimet e pushtetit dhe t'i falet çdo abuzim sepse është i mitur!

Për aq sa pashë, Piranjat kishin zbatuar çdo standard etik. Çdo fjalë në tekst u mbështet me imazhe dhe dokumente, të dyja palët, znj. Ristani dhe burri i saj, u morën në pyetje, dhe imazhet që tregonin fëmijën të shoqëruar u shmangën. Personalisht, nëse do të isha në vendin e znj. Ristani në deklaratë, do t’i inkurajoja këto standarde gazetareske.

Çështja është se zyrtarët këtu nuk duan që gazetaria të ketë standarde, sepse kur nuk ka standarde, qeveria e kontrollon atë më mirë. Në vitet '50 në Angli, stafi i kryeministrit Clement Attlee e tregoi si anekdotë kur u pyet se cila ishte frika e tij më e madhe, "Gazetat e mëngjesit - thanë ata". Pra, ky është ndryshimi midis një mediaje të lirë dhe një mediaje të kontrolluar: kur media është e lirë, ajo rrëzon qeverinë, dhe kur kontrollohet, ajo e mban atë. Kushdo që del jashtë vijës sulmohet në çdo mënyrë, ndonjëherë drejtpërdrejt nga qeveria dhe ndonjëherë duke përdorur vetë gazetarët.

Çfarë ndodhi?

Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë ka qenë kryefjala e emisionit investigative “Piranjat”, episode që u transmetua mbrëmjen e 6 qershorit, ku trajtohej vënia e mjeteve në pronësi të Bashkisë Tiranë, në dispozicion të familjes Ristani. Gazetari Edon Kuqi përballet me Risatnin, por nuk merr përgjigje për përdorimin e mjeteve. Mes gazetarit dhe Ristanit u zhvillua një debat verbal që arrin deri në pikën që kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë e quan ‘kriminel’ e ‘pedofil’. Me telefon në dorë, Ristani filmon gazetarin dhe fokusohet vetëm tek pjesa që stafi i “Piranjave”, kanë përndjekur fëmijën e saj.

Pas debatit Ristani zotohet se do ta ndjekë këtë çështje deri në fund, me gjyq. Ndërkohë, kreytarja ka marrë një përgjigje nga Taulant Koplikaj, drejtuesi i programit “Piranjat”, i cili shkruan se në çdo vend normal, pas transmetimit të pamjeve, kryetarja duhej të jepte dorëheqjen dhe të ndiqej penalisht për shpërdorim detyre. 

Poll

MOS HUMB