Aktualitet

Përplasja me banorët e Çërravës, Bashkia e Pogradecit: I dëgjuam, hoqëm pjesën e kullotave. Kemi të drejtë ligjore mbi tokat

Bashkia Pogradec thekson se ka të gjithë të drejtën ligjore për mbrojtjen e tokës dhe aktet nënligjore në zbatim të tij mbi administrimin e tokave shtetërore në territorin e saj dhe dhënien e tyre me qira për individë apo subjekte, me qëllim zhvillimin e tyre.

E.K
Përplasja me banorët e Çërravës, Bashkia e
bashkia pogradec

POGRADEC- Bashkia e Pogradecit ka reaguar mbi incidentin e ndodhur ditën e djeshme në ambientet e Këshillit Bashkiak, ku banorët e Çërravës kundërshtuan dhënien me qera të tokave shtetërore për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Në njoftimin e Bashkisë thuhet se banorët janë dëgjuar dhe kanë qenë pjesë e konsultimeve publike, e madje shqetësimet e tyre janë reflektuar, duke hequr pjesën e kullotave nga plani për dhënien e këtyre hapësirave me qera.

“Banorët kërkuan rishikimin e sipërfaqes, duke hequr nga harta zonat me status kullotë, të cilat shfrytëzohen për blegtorinë e fshatit. Kjo kërkesë u pranua, dhe sipërfaqja u reduktua nga 65 hektarë 8459 m2 në 34 hektarë e 6660 m², sipërfaqe e cila ka statusin pemtore. Ky version i rishikuar i projektit u diskutua sërish me përfaqësues të banorëve, me të cilët u arrit dakordësi parimore”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e Bashkisë.

Reagim i Bashkisë Pogradec

Bashkia Pogradec, përmes këtij reagimi, sqaron opinionin publik mbi projektvendimin që lidhet me “Dhënien me qira të sipërfaqeve tokë shtetërore në Çerravë”.

Ju bëjmë me dije se:

Projektvendimi fillestar i propozuar dhe i konsultuar me banorët e Çerravës parashikonte një sipërfaqe prej 65 hektarë 8459 m2. Gjatë takimeve konsultative, pesë të tilla, banorët shprehën shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, të cilat u morën në konsideratë nga institucioni ynë.

Banorët kërkuan rishikimin e sipërfaqes, duke hequr nga harta zonat me status kullotë, të cilat shfrytëzohen për blegtorinë e fshatit. Kjo kërkesë u pranua, dhe sipërfaqja u reduktua nga 65 hektarë 8459 m2 në 34 hektarë e 6660 m², sipërfaqe e cila ka statusin pemtore. Ky version i rishikuar i projektit u diskutua sërish me përfaqësues të banorëve, me të cilët u arrit dakordësi parimore.

Projektvendimi, tashmë me sipërfaqen e reduktuar dhe pa prekur kullotat e zonës, u shqyrtua në Komisionet e Këshillit Bashkiak dhe më pas u paraqit për miratim në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, të zhvilluar ditën e djeshme.

Këshilltarët, të cilët ishin njohur më herët me materialin dhe pas sqarimeve të detajuara nga specialistët e fushës, të cilët garantuan se harta e re nuk prek sipërfaqet e kullotave, miratuan projektvendimin me 20 vota pro.

Sqarojmë po ashtu se në mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të fshatit Çerravë, të cilët ndoqën diskutimet dhe morën pjesë në to. Gjatë debatit, pati momente të tensionuara dhe përdorim të një fjalori joetik dhe fyes ndaj anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Pas miratimit të projektvendimit, një prej përfaqësuesve të pranishëm në sallë u tensionua dhe përdori fjalor fyes, çka solli reagimin e njërit prej anëtarëve të Këshillit, situatë e cila agravoi në një përplasje fizike mes palëve.

Ngjarja tashmë është referuar pranë organeve ligjzbatuese, të cilat do të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësitë përkatëse.

Në përmbyllje, Bashkia Pogradec thekson se ka të gjithë të drejtën ligjore për mbrojtjen e tokës dhe aktet nënligjore në zbatim të tij mbi administrimin e tokave shtetërore në territorin e saj dhe dhënien e tyre me qira për individë apo subjekte, me qëllim zhvillimin e tyre.

Njëkohësisht, Bashkia mbetet një institucion i hapur për dialog dhe konsultim me komunitetin, duke dëgjuar dhe reflektuar mbi shqetësimet e qytetarëve, ashtu siç është vepruar edhe me banorët e fshatit Çerravë.

Banorët e fshatit Çërravë, Pogradec, u ngritën sërish sot në protestë, pas arrestimit të bashkëfshatarit të tyre, Kevi Muçllari, i cili u ndalua një ditë më parë nga policia me akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.

Protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të Muçllarit, duke deklaruar se ai është provokuar dhe se në fakt ka qenë këshilltari Ëngjëll Shyti ai që e ka goditur i pari.

Përveç kërkesës për lirimin e Muçllarit, banorët vijojnë protestën kundër vendimit të miratuar një ditë më parë në mbledhjen e këshillit bashkiak, të cilin e konsiderojnë të padrejtë dhe në dëm të komunitetit të tyre. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB