TIRANË- Pasuesi i Olta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, do të vendoset pikërisht nga kolegët e saj. Anikimi i Naureda Llagamit, për procesin e përzgjedhjes së Asim Vokshit, si anëtar në Gjykatën Kushtetuese, do të dëgjohet sot në organin më të rëndësishëm të drejtësisë, nga ky më pas do të jepet dhe një vendim për përzgjedhjen e bërë nga Gjykata e Lartë.
Llagami pretendon se ka siguruar në total 9 vota, përfshirë një votë që Gjykata e Lartë e ka konsideruar të pavlefshme, duke u bazuar në dy shenja të supozuara si tentativë ndikimi në rezultat. Sipas rregullave, Llagamit për t’u shpallur fituese i duheshin 3/5 e votave, dhe për shkak të pavlefshmërisë së votës, Asim Vokshi u shpall automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte i pari në renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Llagami kërkon që kjo votë të njihet si e vlefshme dhe rezultati të ndryshohet në favor të saj. Ndërkohë, kërkesa për pezullimin e menjëhershëm të rezultatit të votimit është rrëzuar.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese për vendin e Holta Zaçajt. Shpallja e procedurës shkaktoi polemika mes Zaçajt dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant.
Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cënimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës. Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosën mbarimin e mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025./ZËRI




