Aktualitet

Përshtatën shkollën e braktisur në Vaun e Dejës për kultivim kanabisi, arrestohet elektricisti, autorët jo

Nën hetim janë edhe tre persona të tjerë, por zyrtarisht Policia njofton se nuk ka arrestuar ende autorët e ambientit të krijuar për rritjen e kanabisit.

k.m.
Përshtatën shkollën e braktisur në Vaun e Dejës
Pamje nga Vau i Dejës

SHKODËR- Një elektricist në Vaun e Dejës është arrestuar pasi Policia e Shtetit ka zbuluar një "shtëpi bari". Nën hetim janë edhe tre persona të tjerë, tre pjesëtarë të grupit të punës së OSHEE-së që mbulojnë zonën, por zyrtarisht Policia njofton se nuk ka arrestuar ende autorët e ambientit të krijuar për rritjen e kanabisit. Kësaj herë "ferma" ishte ngritur në një shkollë të braktisur në Dush të Vaut të Dejës. Brenda janë gjetur 578 fidanë të dyshuar si cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Vau i Dejës/ Finalizohet operacioni policor i koduar "Godina". Evidentohet një ambient i përshtatur për kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Gjenden brenda ambientit 578 fidanë të dyshuar si cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike që shërbenin për realizmin e kësaj veprimtarie kriminale. Vihet në pranga elektricisti i zonës dhe procedohen penalisht tre pjesëtarë të grupit të punës së OSHEE-së që mbulojnë zonën. Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në zbatim të porosive të dërguara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për intensifikimin e kontrolleve në ambiente të mbyllura për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë intensifikuar kontrollet në ambiente të mbyllura.

Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Dush, në një godinë të braktisur prej vitesh (pronë publike) mund të ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit policor të koduar “Godina”, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll. Gjatë kontrollit në godinën e braktisur, një nga ambientet e kësaj godine ishte përshtatur për kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, ku në brendësi të këtij ambienti janë gjetur 578 fidanë të dyshuara cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike e pajisje të tjera elektrike që shërbenin për realizmin kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 62 vjeç, banues në Laç, elektricisti i zonës, dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit J. D., 41 vjeç, banues në Fushë- Arrëz, I. M., 32 vjeç, banues në Shkodër dhe A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Hajmel, (grup i punës i OSHEE-së që mbulon zonën) për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Nën drejtimin Prokurorisë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës dhe ato të DVP Shkodër vijojnë punën intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB