ELBASAN-Një grabitje nën kërcënimin e armës së zjarrit është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Elbasan. Autorët e maskuar si punonjës policie dhe të armatosur kanë hyrë në një banesë në lagjen “5 Maji”, por janë pikasur nga familjarët që ndodheshin në shtëpi, të cilët kanë njoftuar Policinë.
Grabitësit kanë arritur të marrin 4 telefona celularë dhe një shumë parash, ndërsa më pas sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, autorët janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke braktisur automjetet e tyre.
Efektivët kanë sekuestruar 2 automjete, që dyshohen se janë përdorur gjatë ngjarjes, brenda të cilës u gjetën dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Në lagjen “5 Maji”, shtetasi L. Z. ka njoftuar se rreth orës 04:05 të mëngjesit, disa persona të paidentifikuar janë futur në banesën e tij dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i kanë marrë 4 telefona celularë dhe një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje. Sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, personat janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke përfituar nga errësira, dhe kanë braktisur automjetet. Vijon ndjekja për kapjen e tyre.
Në vijim të veprimeve, janë gjetur dhe sekuestruar 2 automjete, të dyshuara se janë përdorur gjatë ngjarjes, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë grupit hetimor për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit. Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.
Ndërkohë, pronari i banesës, Lorenc Zerellari, ka treguar për mediat se ishte në gjumë kur personat e maskuar hynë në shtëpi dhe e kërcënuan që të mos lëvizte.
“Ishim duke fjetur gjumë. Të maskuar si policë më thanë mos lëviz ‘Policia’. Më pyeti ku i kisha lekët. E gjitha ngjarja zgjati për 15 minuta. Në shtëpi kishim 6 fëmijë, janë tramaksur. Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë”, thotë ai.
Një 19-vjeçar, pjesëtar i familjes, ka rrëfyer momentet e frikshme, duke treguar se autorët i kanë drejtuar pistoletën dhe e kanë qëlluar teksa ishte në gjumë.
"Normal që u tremba se më kanë drejtuar pistoletën më kanë gjuajtur me pistoletë, ma drejtoi dhe drejtpërdrejtë. Edhe më kanë gjujt. Siç isha në gjum, vetëm kur erdha disa dhe më gjujtën. Ishin gati 3-4 veta brenda", thotë 19-vjeçari./ZËRI