Aktualitet

Pjesë e aferës së AKSHI-t! 8 telefona dhe 2 laptopë të sekuestruar, Apeli jep vendimin për zyrtaren e policisë Ervina Gjana

Apeli i GJKKO ka vendosur të ndryshojë pjesërisht vendimin e shkallës së parë, duke pranuar ankimin vetëm në një pjesë të tij.

F.I
Pjesë e aferës së AKSHI-t! 8 telefona dhe 2 laptopë të
Ervina Gjana

TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë sot vendimin për ankimimin e zyrtares së Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, në lidhje me sekuestrimin e sendeve personale që lidhen me një hetim që SPAK po zhvillon për dosjen penale të AKSHI-t. Në ankimin e paraqitur, Gjana ka kërkuar kthimin e sendeve të sekuestruara, duke pretenduar se sekuestrimi është kryer në mënyrë të paligjshme.

Apeli i GJKKO ka vendosur të ndryshojë pjesërisht vendimin e shkallës së parë, duke pranuar ankimin vetëm në një pjesë të tij. Në banesën e Gjanës u sekuestruan 8 telefona celularë dhe dy laptopë dhe Apeli vendosi të kthejë disa nga pajisjet.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj: “Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”,- thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Sekuestrimi i telefonave dhe laptopëve u krye në kuadër hetimit për përfshirje në grup të strukturuar kriminal me aktivitet mashtrime online, call-center, ndërhyrje në sistemet informatike dhe TIMS, si dhe bashkëpunim në krimin kibernetik, ku rezulton i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, Renato Hristiç. Ky i fundit dyshohet se ka punuar si shoqërues i Agasit.  Ndërkohë emri i Gjanës është përmendur edhe në bisedat e publikuara të Ergys Agasit.

Nga hetuesit ka dyshime se Ergys Agasi, përmes Gjanës vinte në lëvizje strukturat e hetimit kibernetik për të goditur biznese të ligjshme apo grupe kriminale rivale, me qëllim largimin e tyre nga veprimtaria ku ai, apo miq të tij, kishin interesa./ZËRI

Poll

MOS HUMB