TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në "Zonën e Treshit" në Tiranë, ku një 27-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Policia ka zbardhur dinamiken e ngjarjes dhe ka identifikuar katër persona, tre prej të cilëve janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta. Gjatë përplasjes, shtetasit B. N., 47 vjeç, A. Ll., 42 vjeç dhe S. N., 35 vjeç kanë qëlluar me armë zjarri në këmbë të riun e identifikuar si Renato Çadra i cili është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 27- vjeçari nga krevati i spitalit ka deklaruar se nuk i njeh personat që e plagosën. I riu ka precedentë të mëparshëm penal dhe ishte nën masën e sigurisë "arrest shtëpie" para pak muajve, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike.
Ndërsa shtetasi I. K., 51 vjeç, ka refuzuar të tregojë ngjarjen, duke u arrestuar për moskallëzim krimi.
Në vijim të hetimeve, policia ka sekuestruar një automjet, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët për t'u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe disa sende të tjera të kundraligjshme të lidhura me hetimin. Po ashtu, është zbuluar se gjatë konfliktit ka mbetur i demtuar lehtë edhe shtetasi G. Sh., 42 vjeç, shoqërues i të plagosurit.
Policia ka njoftuar se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit S. N., i shpallur në kërkim, dhe se janë duke u kryer veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe ndjekjen e procedurave ligjore.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Zona e Treshit”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 27-vjeçar.
Identifikohen 4 shtetas. Vihen në pranga 3 prej tyre, shpallet në kërkim një tjetër.
Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit me të cilën u plagos 27-vjeçari.
Sekuestrohen 1 automjet, që dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes si dhe sende të tjera të kundraligjshme të vlefshme për hetimin.
Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spital ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi R. Ç., 27 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Tiranë, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorëve.
Në vijim të veprimeve për këtë rast:
-u arrestuan shtetasit B. N., 47 vjeç dhe A. Ll., 42 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-u arrestua shtetasi I. K., 51 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
-shpallën në kërkim shtetasin S. N., 35 vjeç.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasit B. N., 47 vjeç, A. Ll., 42 vjeç dhe S. N., 35 vjeç , gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin R. Ç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa shtetasi I. K., 51 vjeç, nuk ka kallëzuar për ngjarjen.
Gjithashtu, gjatë konfliktit ka mbetur i demtuar lehtë me sende të forta, shtetasi G. Sh., 42 vjeç, i cili ishte në shoqërinë e të dëmtuarit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjore të ngjarjes si dhe lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI/