Aktualitet

Plagosja e 15-vjeçarit në piceri/ I ati: Ngjarja u fsheh. Djalin ma qëlluan në qafë, plumbi është pistolete, jo stilolapsi!

I ati i kamarierit, shprehet se gjurmët e gjakut në piceri u fshinë me facoleta dhe më pas u hoqën kamerat e sigurisë së ambientit.

F.I
Plagosja e 15-vjeçarit në piceri/ I ati: Ngjarja u fsheh. Djalin ma
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Babai i 15-vjeçarit që u plagos pak ditë më parë në picerinë 'Fantazia' në zonën e ‘Ali Demit’ ka rrëfyer për emisionin “Me Zemër të Hapur” detaje nga ngjarja, ku pretendon se plagosja është tentuar të fshihet nga pronarët apo persona të tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm. I ati i kamarierit, shprehet se gjurmët e gjakut në piceri u fshinë me facoleta dhe më pas u hoqën kamerat e sigurisë së ambientit.

Babai i 15-vjeçarit tregon se djali i tij është plagosur me plumb në qafë dhe se autori e mbante armën përherë me vete dhe nuk bëhet fjalë për një armë zjarri-stilolaps, por për pistoletë. Ndër të tjera ai rrëfen se nuk ka pasur asnjë konflikt paraprak, ashtu siç është raportuar, por sipas tij autori, Aldi Neziri ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt 15-vjeçarit.

Babai i 15-vjeçarit: Gjendja e tij shëndetësore është pak më e mirë. Isha në punë në orën 5:30 dhe më mori kushëriri në telefon dhe më tha djali është dëmtuar pak tek qafa. Atë e kishin marrë në telefon grupi i gatshëm i urgjencës. Shkoj në spital urgjent e ç’të shihja. Ishte gjithçka një befasi. Djali i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr plumbin që kishte në qafë. Kanë dashur të fshehin ngjarjen pasi kanë fshirë me facoleta gjurmët e gjakut. Më pas kanë shqyer pjesën e kamerave që filmojnë. Plumbi është plumb pistolete nuk është plumb stilolapsi. Djali kishte 1 muaj që punonte si kamerier dhe banakier në këtë piceri. Shkonte në shkollë dhe pasdite punonte aty. Kishte dëshirë të punonte, që të mos rrinte kot gjatë kohës së lirë.

Ngjarja ndodhi ditën e 1 qershorit, ku autoritetet raportuan për një 15-vjeçari të plagosur me armë zjarri, i cili kishte shkuar vetë në spital. Në njoftimin e Policisë thuhej se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambjentet e picerisë 'Fantazia' te “Ali Demi”, 21-vjeçari Aldi Neziri ka qëlluar me armë zjarri atipike (pistoletë stilolaps) kamarierin 15-vjeçar. 

Në tavolinë kanë qenë tre persona, i mituri me kushërirën e tij dhe autori i plagosjes, i shpallur në kërkim. Motoristi 21-vjeçar pasi ka nxjerrë pistoletën stilolaps (e cila nuk konsiderohet armë zjarri e mirëfilltë, por e modifikuar), e ka shkrepur dhe plumbi e ka kapur 15-vjeçarin në qafë.

Pas arrestimit, autori është shprehur se nuk kishte për qëllim që ta plagoste kolegun e tij të punës dhe se gjithçka ka ndodhur në mënyrë aksidentale teksa të dy ishin të ulur në të njëjtën tavolinë. Por, ky version nuk ka gjetur mbështetjen e të plagosurit. 15-vjeçari ka deklaruar për Policinë se nuk e kujton saktësisht se si ka ndodhur ngjarja, kjo për shkak të gjendjes së rënduar emocionale që pësoi pasi mori plumbin në qafë. 

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Punonjësit dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur pamjet filmike të kamerave të sigurisë në ambjentet e picerisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB