TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin që forcon sigurinë për punonjësit e Policisë duke mundësuar mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pronës, kur për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja dhe prona. Sipas sqarimit të ministrit të Brendshëm, vendimi përcakton kushtet që duhet të plotësojë një punonjës i policisë për të përfituar mbrojtje të veçantë, si dhe mënyrën e marrjes së masave të menjëhershme në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në momentin e mbledhjes së Komisionit.
“Ky vendim orienton dhe strukturon mënyrën, formën sesi një punonjës policie duhet të adresojë një kërkesë ndaj Komisionit ndaj kërcënimeve, i cili mund të bëhet në dy forma. Forma e parë është forma e menjëhershme, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit lëshon një urdhër për mbrojtje të punonjësit të Policisë, ndërsa forma e dytë është forma që punonjësi i Policisë i drejtohet Komisionit nëpërmjet procedurave,”- u shpreh ministri i Brendshëm pas mbledhjes së qeverisë.
Vendimi parashikon që krahas marrjes së masave mbrojtëse, Policia e Shtetit bashkëpunon me institucionet e tjera, për marrjen në vazhdimësi të informacioneve në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale, në drejtim të punonjësit të Policisë të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij.
“Nëpërmjet këtij akti në zbatim të ligjit të ri të Policisë së Shtetit ne hapim sot një kapitull të ri për sakrificën dhe mbrojtjen e punonjësve të policisë nga kërcënimet e mundshme që i bëhen për shkak të detyrës”, theksoi ministri Ervin Hoxha.
VKM-ja e plotë:
VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS PËR MBROJTJEN E VEÇANTË TË PUNONJËSIT TË POLICISË, TË CILIT I KËRCËNOHET JETA, FAMILJA DHE PRONA PËR SHKAK TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 109, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësit të Policisë së Shtetit, të cilit, për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i sigurohet mbrojtje e veçantë.
2. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin e ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të policisë, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.
3. Kushtet, që punonjësi i kërcënuar i policisë të përfitojë mbrojtje të veçantë, janë: a) prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të policisë; b) gjendja e punonjësit të policisë në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm; c) prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
4. Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në: a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të policisë të rrezikuar; b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të policisë; c) ruajtjen e pronës së punonjësit të policisë të rrezikuar.
5. Mbrojtja e veçantë për punonjësin e kërcënuar të policisë bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë (KVMV), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
6. Komisioni për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë përbëhet nga: a) drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, kryetar; b) drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda, anëtar; c) shefi i Njësisë Speciale të Mbrojtjes së Veçantë, anëtar; ç) drejtori i policisë së qarkut, ku banon personi i kërcënuar, anëtar; d) drejtori i Forcave Kombëtare të Sigurisë, anëtar.
7. Kërkesa, me shkrim, për mbrojtje të veçantë të punonjësit të kërcënuar të policisë i paraqitet Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë nga: a) punonjësi i policisë, që i kërcënohet jeta, familja dhe prona; b) strukturat policore, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të policisë; c) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të policisë.
8. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban: a) gjenealitetet e plota të punonjësit të kërcënuar të policisë; b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për punonjësin e policisë, të cilat e detyrojnë atë të kërkojë mbrojtje të veçantë, si dhe burimin e provave, ku ato bazohen.
9. Komisioni i Vlerësimit të Mbrojtjes së Veçantë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos: a) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes; b) mospranimin e kërkesës.
10. Vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Mbrojtjes së veçantë miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe përmban: a) pjesën hyrëse, ku pasqyrohen subjekti që ka bërë kërkesën, koha dhe vendi i marrjes së vendimit, si dhe përbërja emërore e komisionit; b) pjesën përshkruese, ku jepen rrethanat, që e kanë shtyrë subjektin për të bërë kërkesën, veprën penale të kryer, personalitetin e të kërcënuarit, rrezikshmërinë shoqërore të kërcënimeve dhe vlerësimet për të dhënat që zotërohen rreth një fakti të tillë; c) pjesën vendimmarrëse, ku përcaktohen masat konkrete për mbrojtjen e veçantë, kohën, ekzekutuesin e vendimit, afatin e zgjatjes së masave, shpenzimet dhe subjektin që do t’i përballojë këto shpenzime.
11. Në vendimin e Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.
12. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, Policia e Shtetit bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale, në drejtim të punonjësit të policisë të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij.
13. Në rastet kur punonjësi i kërcënuar i policisë ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.
14. Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat përkatëse në Policinë e Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar të policisë. KVMV-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.
15. Vendimi nr.331, datë 22.4.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e veçantë të punonjësit të Policisë së Shtetit që, për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja dhe prona”, shfuqizohet.
16. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Gjithashtu, vendimi synon të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike në fushën e sigurisë dhe rendit, në luftën kundër krimit të organizuar, duke rritur kështu besimin publik./ZËRI