TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona dhe ka proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë, pas protestës së të martës në kryeqytet. Sipas njoftimit, Policia bën me dije se mes të ndaluarve janë edhe dy të mitur.
Disa prej të arrestuarve: Ermal Progni, Gezim Karruli, Fernando Bahushi, Eugent Balla, Sajmir Dollapi, Enialdo Buci, Anxhelo Demollaj, Loris Zacaj, Elis Brahimi.
Ndërkohë, në vijim të hetimeve është identifikuar dhe ndaluar edhe një 33-vjeçar, i dyshuar për dëmtimin e ambienteve të Komisariatit të Policisë nr.3. Gjatë sulmit të godinës, sipas autoriteteve, janë përdorur lëndë piroteknike, gurë dhe bomba molotovë, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime materiale, si dhe duke dëmtuar dhjetë punonjës policie.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje:
\- u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 29 vjeç, G. K., 24 vjeç, F. B., 19 vjeç, E. B., 23 vjeç, S. D., 52 vjeç, E. B., 27 vjeç, A. D., 23 vjeç, L. Z., 18 vjeç dhe E. B., 20 vjeç, si dhe dy shtetas të mitur;
\- u proceduan në gjendje të lirë 7 shtetas.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, për identifikimin dhe kapjen e personave që sulmuan punonjësit e Policisë dhe godinën e Komisariatit të Policisë Nr. 3 me lëndë piroteknike, gurë e bomba molotov, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime në godinën e Komisariatit, si dhe duke dëmtuar 10 punonjës policie, u identifikua dhe u ndalua shtetasi E. K., 33 vjeç, i cili dyshohet se gjatë tubimit, tri ditë më parë, ka dëmtuar me sende të forta ambientet e këtij komisariati.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Shkatërrimi i pronës", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Goditjet për shkak të detyrës", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik", "Prishja e qetësisë publike", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive", "Pengimi i qarkullimit të mjeteve", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".
Gjatë protestës së mbrëmjes së 18 tetorit në Tiranë, situata u përshkallëzua, teksa Komisariati i Policisë Nr. 3 u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit, u dogj kati i parë i godinës, ndërsa 10 efektivë policie mbetën të lënduar./ZËRI