TIRANË-Ajo që nisi si një tubim i përditshëm prej 94-ditësh, u përshkallëzua në përplasje tensione dhe shoqërime në Polici. Kjo ishte panorama e protestës së djeshme, ku prania e kryeministrit Edi Rama në zyrë ndryshoi intinerarin e protestuesve të cilët ndryshe nga herët e tjera nuk marshuan në rrugët e Tiranës, por u vendosën prej më shumë se 1 ore para Kryeministrisë.
Gjithçka nisi pasi qytetarët tentuan të hyjnë në Kryeministri, ndërsa forca të shumta Policie krijuan një kordon përpara godinës së qeverisë. Situata përshkallëzoi në përplasje fizike, ku protestuesit u shtynë me efektivët, ndërsa ndërhynë edhe autobotët me ujë për shpërndarejen e tyre.
Situata u qetësua një moment, kur protestuesit u ulën në rrugë para kordonit policor, ndërsa kryeministri u largua nga godina nën masa të shtuara sigurie. Me largimin e Ramës, nisën shoqërimet e protestuesve në Polici, ku qytetarët u zhvendosën para Komisariatit numër 3.
Ajo që filloi para kryeministrisë u vazhdua para komisariatit, ku ora 23:00 shënoi sërish përplasje mes policëve dhe protestuesve. Situata u tensionua pasi protestuesit kërkuan informacion për personat e shoqëruar dhe kundërshtuan veprimet e policisë. Lidhur me tensionet e zhvilluara Policia ka arrestuar 14 persona, mes tyre Arvina Lleshi, Bora Mitrovica, Edison Lika, Dritan Goxhaj, Erlind Alimeti, Arben Kola dhe Andi Tepelena.
Protestat ndaj qeverisë nisën në fund të muajit maj, kundër ndërtimeve në Zvërnec. Por protesta që nisi për mbrojtjen e mjedisit dhe pronës është shndërruar në një tubim masiv kundër qeverisë dhe çdo partie tjetër, përfshirë opozitën./ZËRI
