Aktualitet

Meta kërkoi lirinë! Shtyhet seanca, GJKKO shpall moskompetencë, avokati: E kemi dërguar në GJK, do të lirohet

Shpallja e moskompetencës u bë pas kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, për shkak se Erjon Bani nuk ka qenë gjyqtari i çështjes së Ilir Metë

F.I
Meta kërkoi lirinë! Shtyhet seanca, GJKKO shpall moskompetencë,
Ilir meta

TIRANË- Është shtyrë seanca në GJKKO për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Shkak u bë mungesa e gjyqtarit të çështjes. Në kërkesë argumentohet se SPAK ka përfunduar tashmë hetimet në ngarkim të Ilir Metës, dhe për rrjedhojë, vijimi i masës së paraburgimit nuk ka më bazë procedurale. Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-Presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.

Kërkesa do të shqyrtohej nga gjyqtari i posaçëm Erjon Bani, ndërsa përfaqësues i SPAK është Alfred Shehu, i cili është i gatshëm këtë periudhë, duke qenë se prokurorët e çështjes Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi nuk janë të pranishëm. Bani, shpalli moskompetencën për të vendosur në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën. Shpallja e moskompetencës u bë pas kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, për shkak se Erjon Bani nuk ka qenë gjyqtari i çështjes së Ilir Metës, por në seancën e sotme ishte i gatshëm.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani shpjegoi se gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Çela është me pushime dhe për këtë arsye çështja u mor përsipër nga gjyqtari i gatshëm Erjon Bani. Avokati kërkoi që kërkesa për lirimin e Ilir Metës të shqyrtohet nga z.Çela dhe jo nga z.Bani. 

“Ne duam të zhvillojmë procesin të rregullt, me gjyqtarin që ka ndjekur hetimet, pse jo edhe me prokurorët që kanë hetuar këtë çështje. Jemi në pritje që javën tjetër kur do kthehet nga pushimet z.Çela do zhvillojmë seancën siç e parashikon ligji procedural. Z.Meta do të lirohet se nuk ka më asnjë arsye pse ta mbajnë në paraburgim. E kemi dërguar në Kushtetuese, brenda 3 muajve merret vendimi. Pa dyshim që Gjykata do marri kohën e saj brenda 3 muajve, duhet të shprehet. Që i bie brenda muajit tetor do kemi një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese. Beteja jonë do vazhdojë edhe për masën tjetër e cila është rrëzuar në 26 qershor. Të gjithë dokumentacionin tonë për Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut. Rasti Gëllçi rasti më flagrant i shpërdorimit të ligjit, është shuplakë që Gjykata e të drejtave të njeriut i ka dhënë Gjykatës këtu. Ilir Meta do të lirohet, nuk ka arsye që të vazhdojë në paraburgim. Beteja do të vazhdojë”, deklaroi për gazetarët avokati Kujtim Cakrani.

Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB