
TIRANË- Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos ndërroi jetë sot në moshën 96-vjeçare në një spital në Athinë. Lajmin e bëri të ditur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila lajmëroi se Kryepeshkopi ndërroi jetë në orën 08:30 të mëngjesit (ora lokale), si pasojë e mosfunksionimit të shumë organeve.
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 96-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.
Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet”, njofton Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Fortlumturia e tij, Janullatos ndodhej në spitalin Evangelismos prej disa javësh, pasi u transferua në Athinë nga Tirana me avionë të Forcave Ajrore. Prej datës 30 dhjetor, ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë. Diagnoza fillestare ishte një virus sezonal. Megjithatë, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e tij, virusi u shndërrua në një infeksion dhe ai pësoi gjakderdhje gastrike.
Ndaj u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë, në të njëjtin spital ku edhe u kurua kur u prek nga pandemia e koronavirusit. Fillimisht gjendja e tij ishte e kontrolluar dhe as nuk u intubua, por me orët që kaluan gjendja e tij u përkeqësua dhe sot ndërroi jetë./ZËRI