
KORÇË- Gati dy muaj nga vdekja e mistershme e 12-vjeçarit Leo Sadiku, trupi i tij është zhvarrosur për t’i nënshtruar ekspertizës mjeko ligjore. Mjekët e QSUT deklaruan se Leo Sadiku ka ndërruar jetë si pasojë e miokardit akut, ndërsa familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime duke akuzuar mjekët e QSUT për neglizhencë në trajtim. Ekspertë të institutit të mjekësisë ligjore, shoqëruar nga prokurorë të prokurorisë të Tiranës e cila po heton rastin, në prezencë edhe të familjarëve të 12 vjeçarit, kanë zhvarrosur trupin e tij, i cili do ti nënshtrohet autopsisë.
I mituri nga fshati Pocestë i bashkisë së Maliqit pasi ishte ndjerë keq, ishte dërguar për t'u trajtuar pranë spitalit rajonal të Korçës, por duke qenë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, e sollën në Tiranë. 12-vjeçari humbi jetën në spitalin e Tiranës në 8 janar të këtij viti.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, familjarët e të miturit jashtë kamerave u shpresën se i mituri ishte i shëndetëshëm dhe kurrë më parë nuk kishte pasur probleme shëndetësore. Sipas tyre, mjekët kanë qenë neglizhentë pasi e kishin shtruar në pavionin e "COVID", kur duhet që të ndiqej në reaminacion.
Pas pretendimeve të familjarëve, ka pasur edhe një reagim nga QSUT. Sipas tyre, djali ndërroi jetë në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pra, jo në pavionin ku pretendojnë familjarët. Ndërsa po sipas tyre, pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut./ZËRI