
TIRANË-1.2 milionë euro pasuri e paluajtshme i janë sekuestruar Erjon Kasmit, i cili është organizatori i skemës mashtruese të call center, duke i shkaktuar shtetasve gjermanë një dëm prej 7 milionë eurosh. Konkretisht në sekuestro është vendosur 1 apartament, 2 vendparkime për automjete dhe 1 subjekt tregtar. Kasmi akuzohet për mashtrim kompjuter dhe grup të strukturar kriminal.
Sekuestrimi i pronave u bë me vendimin të GJKKO, e cila shpalli fajtor Erjon Kasmin si organizator të skemës mashtruese të call center dhe e dënoi me 11 vite burg.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud”, për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga krimi. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë, në drejtimin e SPAK.
Sekuestrohen 4 pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 1 200 000 euro, të një shtetasi me precedent për mashtrim kompjuterik në bursa. Në vijim të punës gjurmuese dhe hetimore, për konstatimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i GjKKO-së, për sekuestrimin e 4 pasurive të shtetasit E. K., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Konkretisht, u vendos sekuestro mbi 1 aparament, 2 vendparkime për automjete dhe 1 subjekt tregtar, pasuri të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 42-vjeçarit, në fushën e mashtrimit kompjuterik, në bursa. Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Në qershor të viti 2023, SPAK mbylli hetimit duke marrë të pandehur 13 shtetas shqiptarë me akuza për mashtrim kompjuterik dhe grup i strukturuar kriminal. Sipas SPAK ka rezultuar se shtetasit gjermanë dhe shtetas të tjerë të vendeve Europiane si Franca, Italia, Spanja, Greqia etj., ftoheshin nga agjentët e subjektit “Bluenergycall sh.p.k”, të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese.
Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro etj., të Europës dhe më gjerë, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Gjatë përllogaritjes së kryer dyshohet se vlera e arritur nga mashtrimi kalon shumë mbi 3 mln euro. Gjatë hetimit janë evidentuar dhe pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e të Eron Kasmi dhe Xhuljan Xhafa si të punësuar.
Konkretisht lidhur me të pandehurin Erjon Kasmi janë sekuestruar llogaritë në shumën totale 588.233 euro dhe 19.786.762lekë. Po ashtu, këtij grupi i janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme prej të cilave 9 apartamente, 3 garazhe, 1 ndërtesë, 4 pasuri pemëtore me sipërfaqe totale 3100 m2, si dhe 1 Truall me sipërfaqe 2750 m2 me një ndërtesë 750 m2. /ZËRI