
KORÇË-Një incident i rëndë ka ndodhur në qytetin e Korçës, ku një prift raportohet se ka rënë aksidentalisht nga çatia e kishës. Prifti Kristaq Viso është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërkohë ende nuk ka të dhëna mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Burime nga spitali bëjnë me dije se 63-vjeçari ka marrë dëmtime në kokë dhe në trup ndërsa ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve. Prifti është nisur me urgjencë drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Sipas informacioneve, prifti ka qenë në çati duke punuar për të nxjerrë disa tjegulla dhe llamarina. Nga vjetërsia dhe kalbja e pjesës së tavanit, prifti ka rënë brenda ambienteve të kishës pasi platforma është shembur. Sipas burimeve, kisha është e vjetër dhe do të rikonstruktohej së shpejti, ndaj dhe prifti kishte hipur në çati për të zgjedhur materialet, të cilat mund t’i hynin në punë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:00, në lagjen nr. 14, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga çatia e kishës ku shërben si prift, shtetasi K. V., rreth 63 vjeç, i cili u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit./ZËRI