TIRANË-Vorbulla e zhvillimeve politike në Shqipëri zgjerohet gjithmonë e më shumë me figura të reja që pritet të startojnë me Parlamentin e ri pas zgjedhjeve të 11 majit. Por krahas tyre të vjetrit nuk ngelen pas. Së fundmi emra të angazhuar në politikë, aktivistë, gazetar dhe këngëtar të larguar prej vitesh nga Shqipëria, janë risjellë në vëmendje. Bëhet fjalë për Pëllump Pilinçin, Evi Kokolarin, Arian Asimin dhe Bleona Qeretin. Edhe pse të vendosur në SHBA, ‘një këmbë’ e kanë mbajtur gjithmonë në Shqipëri. Me deklarata, intervisa, akuza e padi, si dhe përplasje mes njëri-tjetrit, të gjithë bashkohen në një pike: Politika!
Misteri i Pilinçit
Pëllump Pilinçi prej disa javësh shfaqet nëpër Shqipëri dhe Kosovë, si personalitet i rëndësishëm politik duke ‘pushtuar’ rrjetet sociale me shfaqjet e tij i rrethuar me eskortë dhe ‘bodyguard’. Ashtu si Ismail Qemali, më 11 gusht Pilinçi shpalli qeverinë e tij të re shqiptare në Vlorë, një ngjarje që askush nuk e priti dhe pak kush e kuptoi. Tashmë nga veriu në jug, ai po zhvillon takimet e tij si pjesë e një turi politik. Pa një mandae, ai i ka shpallur “luftë” kreut të qeverisë, Edi Ramës dhe paralajmëron se shumë shpejt do të ketë arrestime në radhët e socialistëve, por edhe të demokratëve.
Për ata që nuk e njohin, Pëllump Gani Pilinçi është themelues dhe kryetar i Partisë Shpresa Demokrate, e paraqitur si parti me orientim “demokrat të djathtë” dhe lidhje shqiptaro-amerikane. Ai ka lindur më 16 prill 1948 dhe ka kaluar fëmijërinë në kushte të vështira në Shqipëri komunist. Më pas, ka emigruar në SHBA ku ka ndjekur studimet dhe karrierën arsimore/akademike. Sipas pretendimeve të tij, ai është takuar me figura të njohura amerikane, përfshirë Presidentin dhe zëvendës presidentin e SHBA-së (George H.ë. Bush), si pjesë e një angazhimi me çështjet e Ballkanit dhe Evropës.
Me "eksperiencën" e tij ai premton krijimin e një qeverie teknike intelektuale në Shqipëri, madje ka gati edhe "ministrat hije". Teksa turi politik i profesorit shqiptari-amerikan vazhdon, Evi Kokolari dhe Arian Asimi vazhdojnë ‘betejën’ nga rrjetet sociale.
Të dy këto personazhe të vendosur në Amerikë me synimin e njejtë për ndryshimin politik në Shqipëri, renditen kundër Pilinçit. Kokolari e ka sulmuar Pëllump Pilinçin, duke e quajtur një të çmendur që shpalli qeverinë e skizofrenëve në Vlorë dhe e akuzon atë për shpifje. Edhe gazetari Arian Asimi me tone të ashpra dhe gjuhë ofenduese me postet në Facebook dhe videot në kanailin e youtube në Nova media Albania, i ka dalë kundër lëvizjes së Pilinçit.
Por cila është qasja e tyre në politikë?
Gazetari Arian Asimi edhe prej vitesh i vendosur në Chikago, politika shqiptare e ka mbajtur në atdhe. Asimi, dikur pjesë e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike njihet për shpërthimet e tij ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke i bërë thirrje shqiptarëve që të ngrihen kundër këtij regjimi. Nga ana tjetër, sa i përket opozitës, producenti i ‘Nova Media Albania’ shprehet se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka mbaruar ciklin e tij dhe një tjetër duhet të marrë drejtimin.
Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari e cila prej vitesh jeton në SHBA është rikthyer në qendër të vëmendjes me ‘breshërinë’ e deklaratave dhe denoncimeve në rrjetin social Facebook. Kokolari në 2021 iu bashkua kreut të Partisë Demokraike Sali Berishës në turin e ‘Foltores’ dhe më pas në atë që u konsiderua si Rithemelimi i PD-së. Por sot pas shumë vitesh, nga radhët e PD deri tek ata të PS, të gjithë janë ‘armiqtë’ e saj. Kokolari sot i ka bërë thirrje ish-kryeministrit Sali Berisha të dorëzojë vulën dhe partinë. Aktivistja ka paralajmëruar se me Berishën do të merren Departamentet e tjera në SHBA. Për kryeministrin Edi Rama ajo thotë se nuk do të ketë mbrojtje më. Emra të njohur të Partisë Demokratike si Ervin Salianji, Albana Vokshi apo Belind Këlliçi kanë qenë të akuzuar prej saj, nga rastet e korrupsionit tek shfrytëzimi i detyrës.
‘Lupës’ së saj nuk i ka shpëtuar as këngëtarja Bleona Qereti, me të cilën tashmë i ndan një padi. Qereti kërkon nga aktivistja një dëmshpërblim prej 2 milionë dollar, ku pretendon se Kokalari ka ndërmarrë një fushatë të vazhdueshme shpifjesh, sulmesh të organizuara dhe dezinformimi ndaj këngëtare, duke shtrembëruar fakte dhe fabrikuar narrativa të rreme, me synimin për për ta minuar profesionalisht në karrierën e saj dhe personalisht duke demtuar reputacionin e saj. Në padinë e ngritur thuhet se Qereti dhe Kokalari janë njohur në vjeshtën e vitit 2022, shkruajnë avokatët e këngëtares, ndërsa theksohet se Evi e promovoi në favor të karrierës së saj politike. Por sërish nuk ngelen pa përmendur figurat e njohura politike. Një nga rastet e pretenduara të Kokalarit në padi ëshë romanca mes kryeministrit Edi Rama dhe moderatores Alketa Vejsiu. Gjithashtu, një pretendim i rremë sipas avokatëve, është rasti i një thashethemi se ish-presidenti shqiptar Ilir Meta ka qenë në lidhje me këngëtaren Xhensila Myrtezaj.
Sa i përket politikës, vetë këngëtarja është shprehur se nëse në të ardhmen mendon t’i futet kësaj rruge, do ta bëjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo në vendin e saj. Bleona Qereti në 2022 u përfol si një nga emrat e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së në Kuvendin e Sali Berishës, por e mohoi. Këngëtarja e cila prej kohësh jeton dhe vepron në Amerikë, doli publikisht në mbështetje të Donald Trump, në 2024 për president të SHBA-së. Takimi ndodhi gjatë fushatës elektorale të Trumpit në Michigan, ku Bleona publikoi disa fotografi në rrjetet sociale. Përpos fushatës në mbështetje të Trump në zgjedhjet e nëntorit, artistja mori pjesë në festimet e inaugurimit të tij.
Në Shqipërinë e sotme kaq të rrëmujshme, nuk mjaftojnë më as krizat, as partitë, as liderët tanë. Tani na udhëzon edhe mërgata, që nga kafenetë e Nju Jorkut shpall qeveri në Vlorë, bën padi milionëshe në Los Anxhelos dhe shpërndan urdhra arresti në Facebook. Në këtë teatër absurd, realiteti politik është kaq bosh, saqë edhe hijet nga diaspora duken si protagonistë./ZËRI




