Aktualitet

Prishtina zgjedh/ Profilet e kandidatëve për kryetarë komune

Deri tani janë pesë kandidatë që do të garojnë për këtë post.

Loreta Koleci
Prishtina zgjedh/ Profilet e kandidatëve për kryetarë komune
Loreta Koleci

KOSOVË- Më 12 tetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e treta lokale që nga shpallja e pavarësisë. Vëmendja kryesore pritet të përqendrohet në kryeqytet, në Prishtinë, ku gara për kryetar është një nga më të ndjekurat. Deri tani janë pesë kandidatë që do të garojnë për këtë post. Kush janë kandidatët për kryetarë të Prishtinës? Dhe a e kanë nisur ende fushatën në kryeqytet? Le t’i ndjekim!

Përparim Rama

I lindur me 20 janar 1976 në Prishtinë, Rama është arkitekt dhe urbanist i njohur. Në vitin 1992, në moshën 16-vjeçare u shpërngul në Britani të Madhe ku përfundoi edhe studimet për arkitekturë. Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Në maj të vitit 2021, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku prezantoi Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës, nga ku doli dhe fitues përballë kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia. Ai kandidon sërish për mandatin e dytë për të marrë komunën e Prishtinës nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Edhe pse fushata nuk ka nisur zyratisht, Rama duket se po e fokuson fushatën e vet në arritjet që ka pasur gjatë 4-vjeçarit, ku thuajse çdo ditë ndan në rrjetet e tij sociale pamje nga punimet në qytet për premtimet e dhëna para 4 vitesh.

Uran Ismaili

I lindur me 19 tetor 1979 në Prishtinë, Ismaili ka mbaruar studimet e larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për psikologji dhe më pas në Harvard kreu studimet master në Administartë Publike. Urani Ismaili që nga viti 2007 është angazhuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Deri në vitin 2016 ai ishte anëtar i kryesisë së Degës së Prishtinës. Ai është i martuar dhe ka 2 fëmijë. Zgjedhjet për kryetar të Prishtinës nuk janë të parat për të, pasi Ismaili ka kandiduar në vitin 2021, por pa rezultat të kënaqshëm.

Urani duket se ka nisur të punojë për fushatën. Në rrjetet e tij sociale ka postime me sloganin “Koha për Prishtinën”, që nënkupton se ky do të jetë slogani i fushatës së tij. Ai ka krijuar një plaftormë digjitale ku qytetarët e interesuar mund të regjistrohen dhe më pas të zhvillojnë një takim me të, për të folur në lidhje me vizionin dhe programin e tij për kryeqytetin. Fokusi i tij deri më tani janë takimet me qytetarët dhe nxjerrja në pah të problematikave që hasin qytetarët çdo ditë.

Bekë Berisha

Bekë Berisha ka lindur më 14 gusht 1978 në Istog. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në Kosovë. Që nga viti 2017 ai është Pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputet nën siglën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti Bekë Berisha do të garojë për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përfaqësues i AAK-së. Edhe Berisha ka nisur fushatën e tij, kryesisht në rrjetet sociale, duke vënë në pah përkushtimin që ka ai për rimëkëmbjen e qytetit dhe duke specifikuar zonat më problematike në Prishtinë, duke sjellë edhe denoncime nga terreni. Duket se slogani i tij është ky “Beka e bon”!

Hajrulla Çeku

I lindur më 1983 në Prizren, Çeku është aktualisht ministëri i Kulturës, Rinosë dhe Sportit në Kosovë. Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe kryer 2 herë studimet master në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Itali dhe në Gjermani, duke u bërë kështu i vetmi kandidat që ka studiuar për politika lokale. Hajrullau është i martuar dhe ka një fëmijë. “Prishtina 2035” është vzioni i tij, me tri shtyllat kryesore të programit të tij, qytet funksional, qytet zhvillimor me rritje të mirëqënies ekonomike dhe qytet i barazive.

Çeku po e zhvillon fushatën e tij deri më tani në kryeqytet jo vetëm duke “denoncuar”, por edhe duke dhënë zgjidhje alternative për secilën problematikë. Gjithashtu është fokusuar tek takimet me qytetarët si dhe aktivitet publike kulturore ku ai merr pjesë së bashku me ekipin e tij.

Besa Shahini

E vetmja kandidate grua për drejtimin e Prishtinës. Besa Shahini ka lindur në Prishtinë, në vitin 1982, e arsimuar në Kanda në Shkencat Politike. Ajo ka qenë Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë në Shqipëri nga dhjetori i vitit 2018 deri në shtator të vitit 2020. Shahini është prej kohësh analiste e pavarur e politikave për arsimin dhe për çështjet e edukimit në Kosovë. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë. Besa Shahini do të garojë për kryetare të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke përfaqësuar Partinë Socialdemokrate.

Fushata e Besës është e fokusuara te infrastuktura e munguar në arsim dhe shëndetësi publike, strehimin social, dhe hapesirat publike me sloganin “Prishtina është e jotja”. Deri më tani në rrjetet sociale Shahini është fokusuar në takime me qytetarët për të kuptuar problematikat e tyre, identifikimin e zonave problenatike në Kosovë, për parkimin, ndotjen dhe mungesën e hapësirave të gjelbërta si dhe për mungesën e investimeve publike në zona pak më periferike në qytet.

Tashmë ngelet në dorë të qytetarëve të Prishtinës për të vendosur se kush do e drejtojë kryeqytetin për 4 vitet e ardhshme!/ZËRI

Poll

MOS HUMB