Aktualitet

PROFIL/ Si hyri Ermal Beqiri në botën e biznesit, nga analiza e videos Meta-Prifti, pasuritë luksoze dhe tenderat nga AKSHI

Në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t, autoritetet kanë kërkuar sekuestrimin e një jahti luksoz të markës “Predator 50 Skyfall”, me vlerë të raportuar rreth 1 milion euro.

Loreta Koleci
PROFIL/ Si hyri Ermal Beqiri në botën e biznesit, nga analiza e videos
foto ilustruese

TIRANË- Biznesmeni Ermal Beqiri është rikthyer në vëmendjen publike pas urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.

Jeta luksoze, bizneset, jahtet, avionët privatë, pasuritë në Francë, tregtia e çokollatave dhe lidhja e tij me ekspertizën e videos Meta-Prifti janë disa prej elementëve që kanë shoqëruar emrin e tij në raportimet e fundit.

Beqiri u arrestua në Francë pak ditë më parë, teksa drejtonte një avion privat. Sipas të dhënave të bëra publike, ai u ndalua fillimisht nga autoritetet franceze pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël pranë centralit bërthamor të Penly, në Seine-Maritime.

Por përveç pasionit për mjetet ajrore, emri i Beqirit është lidhur edhe me mjetet luksoze lundruese.

PROFIL/ Si hyri Ermal Beqiri në botën e biznesit, nga analiza e videos

PROFIL/ Si hyri Ermal Beqiri në botën e biznesit, nga analiza e videos

Në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t, autoritetet kanë kërkuar sekuestrimin e një jahti luksoz të markës “Predator 50 Skyfall”, me vlerë të raportuar rreth 1 milion euro.

Sipas dosjes së SPAK, jahti rezulton në emër të Xhensila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por prokurorët dyshojnë se mjeti lundrues është blerë nga Ermal Beqiri.

“Në vijim, me qëllim verifikimin e të dhënave të konstatuara gjatë kontrollit, është proceduar me marrjen në pyetje të disa punonjësve të shoqërisë ‘EA Solutions’. Këta shtetas kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë në internet dhe trajnimet janë zhvilluar nga shtetasja Xhenila Tamizi. Nga aktet rezulton se kjo shtetase është e punësuar në shoqërinë ‘Soft & Solutions’, ndërsa në emër të saj rezulton edhe mjeti lundrues Predator 50 Skyfall”, thuhet në dosjen hetimore.

Hetimet e SPAK janë shtrirë edhe jashtë Shqipërisë. Sipas informacioneve të bëra publike, autoritetet po verifikojnë pasuri të biznesmenit në Francë, përfshirë një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, llogari bankare, apartamente dhe mjete motorike.

Lidhja me videon Meta-Prifti

Në vitin 2011, Ermal Beqiri, me profesion në fushën e IT-së, ishte një nga tre ekspertët e caktuar nga Gjykata e Lartë për të analizuar videon e regjistruar nga Dritan Prifti me Ilir Metën. Në pamjet e publikuara u shfaq një bisedë mes tyre, e cila shkaktoi një nga skandalet më të mëdha politike të asaj periudhe dhe çoi në hetime e procese gjyqësore. Së bashku me dy ekspertët e tjerë, Beqiri arriti në përfundimin se videoja ishte e manipuluar, ndryshe nga disa analiza të tjera të kryera jashtë vendit.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Nga zyrtar i Ministrisë së Brendshme te sipërmarrës

Sipas gazetarit Gjergj Erebara, Beqiri vijoi më herët karrierën e tij si zyrtar në Ministrinë e Brendshme, më pas u mor me tregtim të çokollatave nga Turqia duke u përfshirë kështu në botën e biznesit.

“Me arrestimin në Francë të Ermal Beqirit, në një avion privat, ia vlen të rikujtohemi pak për karrierën e tij të bujshme. Eksperti i IT-së duket se pati fatin e madh në jetë që, në vitin 2011, të shpallej nga Gjykata e Lartë si një nga tre ekspertët që duhej të hidhnin tuç FBI-në për videon në të cilën, Dritan Prifti, xhiroi veten dhe Ilir Metën duke diskutuar për korrupsion. Ai nuk zhgënjeu: videoja u shpall e falsifikuar dhe gjykata konkludoi se ajo nuk ekziston.

Beqiri vijoi karrierën e tij si zyrtar i Ministrisë së Brendshme. Prokurorët besojnë se kompania Fastech e kompjuterëve i transferoi atij 10 milionë euro përmes një kompanie që merrej me tregti çokollatash nga Turqia. Më 2021, Beqiri u shfaq si sipërmarrës, pasi bleu një kompani të programimeve kompjuterike. Kompania fitoi shumë tenderë me çmime pesëfish apo dhjetëfish më të larta se sa kostot, gjë që i mundësoi Beqirit të blejë jaht.

Manipulimi i tenderëve nga grupi i strukturuar kriminal AKSHI i ka kushtuar taksapaguesve dhjetëramilionë euro, sipas asaj që mund të kuptohet nga dosja e prokurorisë.

Bashkëpunëtori i tij, në krim, Ergys Agasi, është ende në arrati.

Të dy akuzohen për heqje e paligjshme e lirisë, pasi porositën rrëmbimin e një konkurrenti nga eksponentë të dyshuar anëtarë të bandës Çopja, një nga bandat më të dhunshme që ka njohur Shqipëria që nga viti 1997.

Perceptimi ynë i gabuar është që Beqirët vjedhin para. Në realitet, ata vjedhin punë. Në mënyrë që paraja të gjenerohet dhe të bëhet e gatshme për t’u vjedhur, duhet që dikush të punojë. Nga puna, të paguajë taksa. Dhe pastaj nis historia e vjedhjes.

Me një fjalë, dikush duhet të punojë që Beqirët të kenë mundësi të mbajnë jaht dhe të fluturojnë me avion privat. Beqiri dukshëm është modeli i biznesmenit, sipërmarrja e të cilit është korrupsioni”, shkruan Erebara.

Tashmë Beqiraj ndodhet në paraburgim, dhe pritet të dalë sot përpara Gjykatës në Francë, ku do të njihet me kërkesën për ekstradim. Beqiri u prangos fillimisht nga forcat ajrore franceze, pasi u konstatua duke pilotuar një avion të vogël mbi centralin bërthamor në Penly në Seine-Maritime. Më pas nga verifikimet rezultoi se bëhej fjalë për sipërmarrësin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB