SARANDË- Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar një hotel 5-katësh në Ksamil, i cili rezulton i ndërtuar pa leje. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë bëhet fjalë për hotelin “Central Park Hotel” dhe një object pranë tij me sipërfaqe sipërfaqe 52.5 m2 në të cilin ishte ndërtuar një kat pa leje.
Prokuroria e Sarandës ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për pronarin e hotelit, Kujtim Peposhin, për ndërtim të paligjshëm, masë që policia e ekzekutoi. Por hoteli “Central Park Premium” do të sekuestrohet më 6 tetor të këtij viti, pasi kur policia shkoi të ekzekutojë vendimin e gjykatës, në ambinetet e këtij hoteli kishte ende pushues që kishin prenotuar dhoma për të kaluar pushimet e tyre.
Paralelisht po vijojnë hetimet për “shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal për zyrtarë shtetërorë që kanë lejuar këtë ndërtim.
Hetimet për këtë ngjarje kanë nisur në vitin 2025, në kuadër të procedimit penal nr.522/2025. Sipas Prokurorisë së Sarandës, po vijojnë me kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin edhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Sarandë sekuestron ‘Central Park Premium Hotel’ dhe një ndërtim tjetër pa leje në Ksamil, hetime për ‘ndërtim të paligjshëm’ e ‘shpërdorim detyre’. Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, u sekuestrua hoteli ‘Central Park Premium Hotel’ me pesë kate pa leje në Ksamil si dhe një objekt pranë tij, me një kat pa leje me 52.2 m2 po në Ksamil.
Ndërkohë u caktua masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasin K.P. Këto masa u kërkuan nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.522/2025 për veprën penale të “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a-4 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijon me kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe individualizimin e përgjegjësisë për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje./ZËRI