TIRANË- Biznesmeni Artur Shehu deklaroi mbrëmjen e djeshme se sipërfaqja prej 460 hektarësh tokë në zonën e Nartës është pronë e vjetër e familjes së tij, duke theksuar se disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ta vërtetuar këtë.
Në një lidhje direkte nga Miami për emisionin "Opinion", Shehu komentoi hetimet e SPAK lidhur me tokat në Zvërnec dhe bllokimin e llogarive të tij, duke u shprehur se organet e drejtësisë kanë të drejtë të kryejnë çdo verifikim të nevojshëm.
Ndër të tjera, gjatë intevistës, Shehu theksoi se nuk i njeh investitorët dhe se kontaktet me ta janë zhvilluar përmes ndërmjetësve.
Pyetje- Ju jeni pronar në zonën e Nartës, sa është prona juaj? Sa hektarë?
Artur Shehu: Jam një nga pronarët. Është 460 hektarë, madje kemi pa marrë akoma.
Pyetje- Cila është forma që keni fituar pronën, e keni blerë, është pronë dhënë nga Komisioni i Kthimit të Pronave, është me 7501?
Artur Shehu: Prona është blerë kohë më parë, pastaj me kthimin e komisionit, me të gjitha format e shtetit, sepse unë kam kohë që kam iku.
Pyetje- Ju jeni pronar i vjetër në atë zonë apo e keni blerë nga pronarët?
Artur Shehu: Jam pronar i vjetër, madje jam lidhur me një avokat që të prezantoj çdo lloj letre që kam.
Pyetje- Pra ju jeni pronar i vjetër, por keni shtuar pronën duke ua blerë pronarëve të tjerë?
Artur Shehu: Prona është e fisit Shehu dhe unë jam një nga pronarët, por pjesa më e madhe ka kaluar nga unë, sepse unë jam marrë me ta. Por, prona është e gjithë farefisit. Nuk janë marrë të gjitha pronat.
Pyetje- Po, sa keni të marra me certifikatë pronësie?
Artur Shehu: 252-253 hektarë. Unë kam pronën time dhe nuk më duhen të tjerat, por dua të shpjegoj një gjë, prona është e padiskutuar. Nuk zihet fare prona në gojë.
Pyetje- Ju pretendoni për një pronë që u është marrë prej shtetëzimit dhe shpronësimit.
Artur Shehu: Po! Është pronë e vjetër fare!
Pyetje- Pse SPAK ka bllokuar llogaritë tuaja dhe pretendon që kjo pronë është tjetërsuar në mënyrë ligjore?
Artur Shehu: SPAK ka punën e vetë dhe le ta verifikojë. Nuk kam asnjë gjë me SPAK.
Pyetje- Keni rënë ju në kontakt me investitorët, apo ka ndërmjetës midis jush dhe investitorëve?
Artur Shehu: Investitorët nuk i njoh fare, ka ndërmjetës. Nuk i njoh fare!
Gjatë kësaj jave, SPAK ka urdhëruar një sërë kontrollesh në Tiranë dhe Vlorë, në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit.
Në fokus të hetimeve është edhe kompania “Albania Land Development” nga Katari, e angazhuar në projektin në këtë zonë. Fillimisht, SPAK vendosi bllokimin e llogarive bankare të kësaj kompanie, ndërsa më pas i zhbllokoi ato brenda një kohe të shkurtër. Pas kësaj, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me masa të tjera, duke bllokuar edhe llogari bankare të disa shtetasve shqiptarë, të cilët po verifikohen nëse janë pronarë të ligjshëm të tokave apo jo. Hetimet për çështjen vijojnë ende./ZËRI

