TIRANË- Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje të rinjve që marrin pjesë në protestat në Tiranë të distancohen nga aktet e dhunës duke paralajmëruar se edhe të miturit mund të mbajnë përgjegjësi penale për veprimet e tyre.
Zëvendësministrja e Brendshme Anisa Ruseti deklaroi se situata është nën kontroll pavarësisht incidenteve të regjistruara gjatë protestave, përfshirë edhe sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Ajo u bëri thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të vijojnë bashkëpunimin me institucionet, në mënyrë që fëmijët të mos përfshihen në përplasje të dhunshme.
“Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese. Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë”, tha ajo.
Ruseti falënderoi prindërit dhe kujdestarët që iu përgjigjën thirrjes së Ministrisë së Brendshme dhe shoqëruan fëmijët në shkollë, duke shmangur përfshirjen e tyre në protestat ku ekziston rreziku i përplasjeve.
Zëvendësministrja theksoi se pjesëmarrja në një protestë nuk e bën një person përgjegjës për veprimet e të tjerëve, por përgjegjësia individuale lind në rastet kur kryhen veprime të paligjshme.
“Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi”, deklaroi ajo./ZËRI