SHKODËR- Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00 në qytetin e Shkodrës, ku gazetari Ervin Dushi pretendon se është dhunuar nga disa persona. Sipas kallëzimit të tij, ngjarja ka ndodhur përpara supermarketit 'Xhedis', dhe autori kryesor është identifikuar si Prek Gjoni, pronar i rrjetit, i shoqëruar nga tre persona të tjerë.
Dushi rrëfen se incidenti ndodhi gjatë një takimi me pronarin, i cili ishte kërkuar më parë nga avokati i Gjonit për të diskutuar disa video të publikuara nga gazetari në media sociale. Sipas gazetarit, bëhet fjalë për video të dyshuara kërcënuese të pronarit të marketit ndaj një qytetari. Gazetari thekson se ishte paraqitur në mënyrë miqësore dhe pa mbrojtje, por u sulmua nga tre nga katër personat e pranishëm.
Pas sulmit, Dushi ka dorëzuar kallëzim në Policinë e Shkodrës, duke njoftuar se do ta ndjekë çështjen përmes rrugës ligjore.
"Rreth orës 20:00 jam takuar me pronarin e Xhedis në Shkodër dhe pretendimi i tij ishte kishte kërkuar numrin tim personal, pasi pak kohë më parë në një media sociale kam publikuar disa video dhe i kanë marrë media të ndryshme, një video ku ai kërcënonte një qytetar. Avokati i tij kishte kërkuar takim me mua për të diskuar se çfarë faktesh kisha për këtë kërcënim. U paraqita në një mënyrë miqësore, pasi pak kohë më parë kam pirë edhe një kafe më zotërinë. U paraqita i pambrojtur dhe ky është rezultati i takimit me zotërinë, me pronarin e marketeve Xhedis, Prek Gjoni. Ishin katër persona, 3 më kanë goditur në mënyrë të pamëshirshme. E gjithë kjo ndodhi për shkak të detyrës time si gazetar. Nuk e prisja, shkonim në mënyrë komplet miqësore", është shprehur gazetari.
Njoftimi i policisë:
Shkodër / Informacion paraprak
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi E. D., gazetar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave, shtetasit P. Gj., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt dhe shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.