KUÇOVË-Një ngjarje e rëndë është raportuar në Kuçovë ku një efektiv policie ka mbetur i plagosur me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, ku teksa 45-vjeçari Zamir Skënderi po transportohej nga Komisariati i Fierit drejt Komisariatit të Kuçovës i ka marë armën e shërbimit efektivit A.Toska 20-vjeç dhe e ka plagosur. 45-vjeçari ishte ndaluar fillimisht për prishje të qetësisë publike.
Menjëherë pas plagosjes, Zamir Skënderi ka tentuar të largohej, por është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.
Polici i plagosur është transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas është dërguar për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, i dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S, është konfliktuar me punonjësin e Policisë shtetasin A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit punonjësit të Policisë dhe e ka plagosur.
Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën shtetasit Z. S., ndërsa punonjësi i Policisë është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të shoqërimit të personave nga ana e Patrullës së Policisë.