IZRAEL- Forcat izraelite kanë ndaluar sot aktivistin shqiptar Baki Goxhaj, i cili ishte pjesë e flotiljes humanitare që po lundronte drejt Gazës për të dërguar ndihma për popullsinë civile të rrethuar dhe të uritur. Flotilja, e përbërë nga 54 anije dhe rreth 426 aktivistë ndërkombëtarë, ishte nisur të enjten nga zona e Marmarisit në Turqi.
Autoritetet izraelite i kanë bërë thirrje organizatorëve të ndryshojnë kurs dhe të kthehen mbrapsht, duke deklaruar se misioni nuk përmban ndihmë humanitare reale dhe ka karakter provokues. Nga ana tjetër, organizatorët e flotiljes thonë se qëllimi është të tërheqin vëmendjen ndaj situatës humanitare në Gaza.
Lidhur me rastin Ministria e Pinëve të Jashtme është shprehur se është në dijeni dhe se ngjarja po ndiqet nëpërmjet kanaleve diplomatike për të marrë një informacion të plotë mbi rrethanat si dhe për të garantuar të drejtat e tij të plota. Ministria u shpreh se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite.
“Përmes kanaleve diplomatike, Ministria është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare”, i tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Alteo Hysi, BIRN-it.
Pamjet video të shpërndara nga organizatorët tregonin aktivistët që filmonin ndërsa forcat izraelite afroheshin dhe hipnin në anije. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se bastisja ishte “neutralizimi në mënyrë efektive i një plani keqdashës të hartuar për të thyer izolimin që u kemi imponuar terroristëve të Hamasit në Gaza”, raporton BBC.
Bllokada e Rripit të Gazës është vendosur që prej vitit 2007 dhe përfshin kontroll të rreptë të hyrjes dhe daljes së mallrave dhe njerëzve, sipas autoriteteve izraelite. Izrael argumenton se masa është e nevojshme për arsye sigurie dhe për të parandaluar kontrabandën e armëve.