DURRËS-Astrit Hysenaj, 54-vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh në Durrës, shënoi viktimën e përmbytjeve në vend. 54-vjeçari u gjet pa shenje jete në një kanal kullues në afërsi të ish-repartit Ushtarak, pasi e kishte marrë rrjedha e fortë e ujit. Pas humbjes nga jeta të punonjësit, Bashkia e vendit deklaroi se Hysenaj nuk ishte duke punuar por ishte larguar më herët për shkak të motit të keq.
Nga ana tjetër familjarët pretendojnë se ai e humbi jetën në krye të detyrës, duke pastruar kanalet, ndryshe nga çfarë deklaroi kryebashkiakja Emirjana Sako. Sipas të afërmve, Astrit Hysenaj kishte shkuar në punë në orën 5:30 të mëngjesit, ashtu si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike. Kushëriri i viktimës thotë se kanë në duar pamje filmike nga kamerat e sigurisë që tregojnë momentet e fundit të 54-vjeçarit para se ta merrte rrjedha e ujit. Ai thekson se deri në momentin e fundit të jetës, Hysenaj ka qenë në krye të detyrës.
“Daja është nisur në punë si gjithmonë në 5 e gjysmë, në orarin e punës. Ka parë gjendjen dhe situatës, familja ka tentuar që ta ndalojë. Është nisur deri në momentin që mbaronte punën në 10 e gjysmë s’kemi ndjerë asnjë shqetësim, shqetësimi nisi pasi nuk u paraqit në shtëpi. Pritëm pak orë dhe nisëm kërkimet ne si familje, për shkak të situatës. E pamë që s’po vinte dhe bëmë denoncimin në polici, është 24 orarëshi që duhej të presim. Kemi nisur kërkimet vetë, kemi parë nga kamerat, që deri në orën 08:25 ai ka qenë duke punuar tek mbikalimi i parë i këmbësorëve kur vjen nga aksi Plepa-Durrës. Pastaj nuk është parë më. E vetmja nevojë që kemi si familje është që të ketë një ndihmë financiare sa i përket familjes, janë në gjendje të vështirë ekonomike. Përveç dhimbjes që kanë, të paktën ti rrinë afër me një ndihmë ekonomike. Është shumë e dhimbshme humbja e tij, pastaj të kalojmë te pjesa ekonomike që është domosdoshmëria e jetesës bëjmë apel ti qëndrojnë pranë familjes me një ndihmë ekonomike,"- u shpreh mbesa e viktimës.
"Ka qenë rreth orës 8:30, te filmimet e kamerave po ta shohësh ka qenë uji deri te gjuri dhe ia prapë mblidhet letrat që ishin sipër ujit dhe i hidhte te koshi. Këto dyshojmë ne që kanë qenë momentet e fundit. Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse ndonjëri ka pamje filmike pas kësaj ore, të na i vendosin në dispozicion. Ai ka qenë duke punuar dhe duke mbledh letrat dhe duke i hedhur në kosh. a mbetur nëna 85 vjeçe, e shoqja e papunë, dhe një djalë 21 vjeç që herë punon dhe herë nuk punon. I vetmi që siguronte të ardhura ishte, tani kanë mbetur vetëm me pensionin e nënës. Duhet një ndihmë ekonomike, ose ti gjejnë djalit një punë të përhershme. Si do mbahet një familje me një pensionist,"- u shpreh djali i xhaxhait i viktimës.