TIRANË- Banorët e Memaliajt e Fushë-Arrëzit po protestojnë sot para Kryesisë së Kuvendit kundër hartës së re territoriale.
Në pamjet e siguruara nga ZËRI, shihet një grup qytetarësh të mbledhur para Kuvendit, me pankarta në duar, përmes të cilave shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit për riorganizimin territorial.
Protestës së banorëve i është bashkuar edhe kryebashkiaku Memaliajt, Albert Malaj.
Ndërkohë, paralelisht, Komisioni i Ligjeve po zhvillon mbledhje brenda Kryesisë së Kuvendit, ku po shqyrtohet pr.ligji i ndarjes së re territoriale.
Reforma e re territoriale ka nxitur protesta dhe kundërshtime nga disa bashki kanë nisur që pas publikimit të draftit.
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI