TIRANË-Pesë studio ndërkombëtare arkitekture prezantuan një ditë më parë vizionet e tyre për Tirana Fountain Plaza, projekti i parashikuar në zonën e njohur si Tajvani. Në prezantimin ku mori pjesë edhe vetë kryeministri Edi Rama, fituesi i projektit u shpall BIG – Bjarke Ingels Group. Në kuadër të projektit në zemër të Tiranës do të ngrihet një kullë mbi 170 metra, me 448 kolona.
Studio spanjolle Barozzi Veiga ka propozuar një kullë cilindrike me lartësi mbi 170 metra, të formuar nga 448 kolona, të konceptuara si elementi kryesor arkitektonik i ndërtesës. Sipas prezantimit, projekti shkruan Monitor synon të reduktojë sa më shumë sipërfaqen që ndërtesa zë në tokë, për të lënë më shumë hapësirë për parkun.
Gjurma e ndërtesës parashikohet të ulet nga rreth 1,850 metra katrorë në 570 metra katrorë. Kati përdhes do të shërbejë si hyrja kryesore e kullës, por studio e ka konceptuar atë më shumë si një vazhdim të parkut sesa si një holl tradicional të ndërtesës.

Projekti parashikon dy hapësira publike të ngritura në lartësi. Një ashensor do të çojë vizitorët në atë që studio e ka quajtur “çatia publike”, një kopsht në pjesën e sipërme të kullës.


Një tjetër kopsht është parashikuar në mes të ndërtesës. Funksionet do të shpërndahen në disa nivele. Pjesa e parë e kullës do të përdoret për zyra, e ndjekur nga hoteli dhe më pas nga rezidencat.

Sipas të dhënave të prezantuara, projekti parashikon rreth 3,500 metra katrorë zyra, 5,000 metra katrorë hotel dhe rreth 4,000 metra katrorë hapësira rezidenciale, krahas sipërfaqeve publike dhe tregtare. Një pjesë e konsiderueshme e funksioneve ndihmëse është parashikuar në katet nëntokësore.