TIRANË-“Raiffeisen Bank” ka pranuar se është përfshirë në një skandal, ku, të paktën, 20 kredi me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra, janë marrë në sportelet e saj me anën e dokumentave të falsifikuara. Skema e mashtrimit u pranua nga përfaqësues të bankës në një proces civil që po zhvillohet së fundmi në Gjykatën e Tiranës. Deklarimet e përfaqësuesve të Raiffeisen Banka zbulojnë edhe skandalin, ku konkretisht janë 20 klientë kanë marrë kredi 9 milion lekë.
Si u zbulua skema
“Boldnews.al” ka siguruar një vendim të togave të zeza të kryeqytetit, në të cilin, një 33-vjeçar nga kryeqyteti ka paditur “Raiffeisen Bank”, pasi i është refuzuar informacioni mbi një kredi të rreme të marrë nga dikush tjetër në emrin e tij. Mesditën e 16 Korrikut 2025, Adem B., me banim në Tiranë, merr një telefonatë. “Jam punonjëse e bankës Raiffeisen. Ju njoftoj që duhet të kryeni pagesën e këstit të kredisë, pasi jeni me vonesë”.
Ai i ka sqaruar punonjëses se nuk ka marrë asnjëherë kredi, as tek Raiffeisen dhe as në ndonjë bankë tjetër. Në vijim, Ademi i kërkuar bashkëbisedueses më shumë të dhëna mbi këtë kredi të pretenduar, pasi kuptoi se emri i tij mund të ishte përfshirë në një skemë mashtrimi.

33-vjeçari ka kërkuar informacion zyrtar nga banka, për kredinë e marrë në emrin e tij, personat që kanë miratuar borxhin, nënshkrimet e kredimarrësit, e të dhëna të tjera. Banka nuk i ka kthyer përgjigje dhe ai është drejtuar gjykatës së Tiranës, në të cilën kërkon detyrimin e bankës për t’i dhënë informacionin, si edhe dëmshpërblim monetar për shqetësimin e shkaktuar.
Gjykata ka refuzuar kërkesën e tij, pasi përfaqësuesit ligjorë të bankës kanë deklaruar se materiali i kërkuar, si edhe dokumenta të personave të tjerë, tashmë i janë vënë në dispozicion Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës. Sipas zyrtarëve të Bankës, “ndihemi viktima në këtë histori dhe kemi bërë kallëzim penal në Polici për të zbuluar autorët e mashtrimit”.
Deklarimet e “Raiffeisen Bank”
“Në të gjithë këtë histori, viktima e parë është banka”, kanë deklaruar përfaqësuesi ligjorë të Raiffeisen gjatë këtij procesi gjyqësor.
“Rreth 20 klientë kanë marrë kredi 9 milion lekë. Banka është e interesuara e parë për të vënë në dispozicion të prokurorisë dhe policisë për të vërtetuar këtë skemë mashtrimi. Çfarë interesi ka Banka të fshijë dokumentet?”, vijuan më tej përfaqësuesit ligjorë, në formë reagimi për pretendimin e 33-vjeçarit se mungesa e dhënies së informacionit mund të ishte një tentativë për të fshehur gjurmët e skandalit financiar.
“Banka e pranon që është viktimë e kësaj skeme. Janë edhe me vidio personat që kanë kryer këtë vjedhje. Si konkluzion, banka nuk ka arsye t’i zhdukë provat dhe ia kemi vënë në dispozicion policisë. Banka, në të gjithë këtë situatë, mund ta besh që sot padi për shpërblim dëmi dhe do jua vëmë në dispozicion Gjykatës të gjithë provat. Nuk i zhduk dot. E pranojmë që llogaria juaj është çelur në emrin tuaj. Fotografia nuk ështe e juaja. Në bankë ka dështuar ID-ja e atij personi, por kartën e identitetin nuk e ka marrë në bankë ai. Dhe vërtetimin për sigurimet shoqërore nuk e ka marrë në bankë, pasi ai vërtetim mund të merret vetëm në E-albania”, citohet përfaqësuesi i “Raiffeisen Bank” në vendimin gjyqësor të datës 30 korrik 2025.