TIRANË-Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka reaguar me një deklaratë publike lidhur me disa denoncime online mbi cilësinë e ujit të pijshëm “Lajthiza”. Sipas denoncimit uji pretendohej se kishte përmbajtje të lartë kripe. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë informon se denoncimi ishte një inskenim për të dëmtuar imazhin e kompanisë, që hedh në treg prej 25-vjetësh një prej produkteve më cilësore të ujit.
Denoncimi u publikua në JOQ nga një qytetare, e cila me një video nga “Drymades Inn”, një nga resortet më të njohura të zonës, tregon se teksa kishte porositur kafen bashkë me një shishe ujë të markës “Lajthiza”, mbeti e shokuar kur konstatoi se uji ishte me kripë.
Prej disa ditësh, në disa portale dhe media online, janë publikuar “denoncime qytetarësh” ndaj produktit “Uji Lajthiza”. “Denoncimi” i referohet një qytetari, të pa identifikuar, në një resort në Jug të Shqipërisë, gjithashtu të pa identifikuar. Sipas këtij “denoncimi”, uji kishte përmbajtje të lartë kripe. Këtë konstatim e përforconte edhe një kamarier, gjithashtu i pa identifikuar. E gjitha, ishte e qartë që ishte një inskenim për të dëmtuar imazhin e kompanisë, që hedh në treg prej 25 vjetësh një prej produkteve më cilësore të ujit.
Bashkimi Prodhuesve Shqiptarë është shumë i vëmendshm ndaj respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore. Ai do të mbaj qëndrim në rastet kur organet kompetente konstatojnë shkelje dhe cënim të standardit të sigurisë ushqimore. Por, me po të njëjtën përgjegjshmëri dhe përgjegjësi, BPSH kërkon të mbahet qëndrim nga institucionet kur prodhues të ndryshëm, bien pre e shantazhit apo sulmeve denigruese, për qëllime të caktuara.
Nuk është hera e parë që prodhuesë shqiptarë, kryesisht në fushën e industrisë ushqimore, bien pre e sulmeve publike pa asnjë bazë të vërtetueshme. Këto sulme të qëllimshme cënojnë rëndë marrëdhënien dhe besueshmërinë mes prodhuesit dhe konsumatorit. BPSH nxit çdo qytetar që, nëse vëren probleme me produktet ushqimore, t’i drejtohet institucioneve përkatëse. Gjithashtu BPSH nxit institucionet që të mbajnë qëndrime në mbrojtje të konsumatorëve, por njekohesisht i nxit të reagojnë edhe në rastet kur fabrikohen fakte për të sulmuar marka të ndryshme prodhuesish.
Bashkimi Prodhuesve Shqiptarë