Politikë

Rama akuza të rënda prokurorëve: Me trupat e tyre mbrojnë dosje ulëritëse të evazionit fiskal

Në fjalën e tij para pensionistëve në Durrës, Rama tha se dosjet e evazionit fiskal të bizneseve "flenë" në Prokurorinë e Tiranës, edhe pse janë të identifikuara nga Administrata Tatimore.

k.m.
Rama akuza të rënda prokurorëve: Me trupat e tyre mbrojnë
Edi Rama

TIRANË- Në një takim me pensionistët në qytetin e Durrësit, kryeministri Edi Rama ka përmendur Prokurorinë e Tiranës, duke i akuzuar hetuesit se po mbulojnë dosjet e evazionit fiskal ndaj bizneseve. Në fjalën e tij para pensionistëve në Durrës, Rama tha se dosjet e evazionit fiskal të bizneseve "flenë" në Prokurorinë e Tiranës, edhe pse janë të identifikuara nga Administrata Tatimore. Por ndër të tjera në fjalën e tij, Rama e la të kuptohet se nuk ndalojnë deri tek ndjekja penale për të gjithë bizneset që nuk reflektojnë.

“Keni dëgjuar ndonjëherë që një sipërmarrës të merret i pandehur për evazion? Me miliona... Mendoni që nuk ka? Patjetër që ka! Mendoni ju se administrata nuk i ka identifikuar disa prej tyre? I ka identifikuar... dhe ia ka referuar edhe Prokurorisë së Tiranës. Në Prokurorinë e Tiranës prej vitesh janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Evazorë që më vjen keq ta them por e kanë Prokurorinë në xhep sepse unë nuk gjej asnjë shpjegim tjetër. Pra është i gjithë zinxhiri që duhet mbyllur. Ju thatë që ligji e ruan rendin, por nëse ligji nuk vepron për këtë kategori si për të gjithë të tjerët, atëherë ne kemi një problem të madh sepse hallka e fundit e zinxhirit na mungon. Prandaj është jo e lehtë, por ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Për këtë, ne do të bëjmë digjitalizimin e transaksioneve, si dhe një tjetër mekanizëm që po e vëmë në funksion me inteligjencën artificiale që do të jetë e pamundur që të na shmangen nga detyrimet dhe nga ana tjetër nuk e pranoj dot që hotelet këtu në Durrës të na bëjnë deklarime pagash që ne e dimë shumë mirë që nuk janë ashtu...,"-tha Rama në fjalën e tij.

Prej disa javësh tashmë, Rama ka nisur një tur takimesh me pensionistët për të cilët ka bërë premtimin e rritjes së pensionit që ata marrin në mandatin e katërt qeverisës. Po ashtu, ka premtuar se qeveria do të ulë edhe çmimin e energjisë elektrike për ta./ZËRI

Poll

MOS HUMB