
TIRANË-Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela ka prezantuar raportin vjetor 2024 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Çela para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë bëri me dije se në krahasim me vitin 2023, ka patur një ulje të numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë, por një rritje të të pandehurve që janë dënuar.
"Janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023 rezulton një ulje prej 6,44 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,63 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10001 të pandehur që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37,87 % të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm”, tha Çela.
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10001 të pandehur që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37,87 % të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm.
Ai ka theksuar se një bashkëpunim i frytshëm ka qenë ai më Prokurorinë e Posaçme, ku nënvizoi se gjatë vitit që kaloi drejt kësaj prokurorie u transferuan për kompetencë 61 referime/procedime penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme përgjatë vitit 2024 ka vijuar në zbatim të ligjit dhe Aktit të Koordinimit Ndërinstitucional, (datë 15.12.2020), ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të veprimtarisë procedurale në nivel vendor. Gjatë vitit që kaloi drejt kësaj prokurorie u transferuan për kompetencë 61 referime/procedime penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Duhet theksuar se në tërësi niveli i bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Posaçme ka qenë dhe vijon të mbetet shumë i mirë në të gjitha nivelet”, u shpreh ai.
I pyetur nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë lidhur me presionin politik apo mediatik ndaj prokurorëve, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, tha se prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm nuk përballen me problematika të ngjashme me ato të SPAK-ut.
"Nuk përballen, nuk kanë atë problematika të cështjeve të ngjashme me ato që ka SPAK. Megjithatë do ju jap një përgjigje, se një çështje e tille është ngritur edhe në Komisionin e Ligjeve vjet. Sot prokurorët kanë një nivel mbrojtje në të gjitha aspektet pikërisht për të ushtruar siç duhet funksionet e tyre edhe në kushtet e presionit të çfarëdollojshëm. Kjo mbrojte është ligjore, fizike dhe përmes trajtimit që i bëhet prokurorit në pikëpamje të elementëve të tjerë që kanë pjesë e statusit të trajtimit të prokurorit. Puna jonë është punë që natyrshëm do përballet me çështje të kësaj natyre, e rëndësishme është mënyra se si ne reagojmë,"-u përgjigj ai.
Gjatë raportimit të tij, Çela vuri theksin në mungesën e numrit të prokurorëve, qoftë në Prokuroritë e rretheve, po ashtu edhe në atë të Apelit.
“Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, tha Çela.
Çela, shprehu shqetësimin për përdorimin e lartë të masës së sigurisë "arrest me burg", duke theksuar se mungon reflektimi nga prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë për të zbatuar masa alternative.
“Ka një aplikim të ulët të masave të tjera sigurimit, përveç asaj të arrestit me burg, i është kërkuar prokurorive, të ketë një aplikim më të kujdesshëm, më të balancuar. Për këtë qëllim nxorëm edhe një udhëzim të përgjithshëm në korrik dhe u kërkohet që për mënyrën si i vlerësojnë kërkesat për caktim e masave të sigurisë të tregohet kujdes i shytuar dhe të jetë fokusi për caktimin e masave alternative nga jo arrest me burg. Nga prokuroritë pranë Shkallëve të Para nuk e kam gjetur këtë reflektim. Është në të njëjtin nivel, në mos më e lartë se një vit më parë”, tha Çela.
Po ashtu, Olsian Çela konstatoi se sipas tij, problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është edhe ai që lidhet me arkivat, ku sipas tij, situata vazhdon të rëndohet. Kryeprokurori tha se naga ana e tyre janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore.
"Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat. Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore, por edhe përmes seleksionimit të materialeve me vlerë arkivore në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, duke punuar ngushtësisht me prokuroritë e rretheve gjyqësore në këtë drejtim,"-u shpreh Çela.
Çela tha se çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente./ZËRI